​Qumështarët-Bajramit: Mos e pengoni vendimin që ndalon vajin e palmës

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit, Ramadan Memaj ka bërë një kërkesë publike për ministren e Financave, Hykmete Bajrami, duke i kërkuar asaj që mos ta pengojë vendimin e Ministrisë së Tregtisë për ndalimin e vajit të palmës në Kosovë.

Memaj në letrën publike, thotë se kanë marrë informacione se ministrja Bajrami dhe ministria që drejton janë duke e stopuar vendimin e marrë të premten nga MTI-ja për ndalimin e përkohshëm të importit të vajit të palmës.

“Ne nuk i dimë saktësisht arsyet e këtij veprimi nga ana juaj, por ne i dimë arsyet pse duhet të ndalohet importimi i vajit të palmës”, thuhet në letrën publike.

Tutje në letër thuhet se “me importin e pakontrolluar të vajit të palmës është ngopur tregu me produkte kinse të qumështit, të cilat për shkak të përmbajtjes së lartë të këtij vaji kanë çmim jashtëzakonisht të ulët në treg, duke e bërë të pamundshëm ekzistencën e produkteve me qumësht të vërtetë që gjithsesi dalin më çmim më të lartë. Për shkak të kësaj janë duke u krijuar nga 70.000 litra tepricë qumështi për çdo ditë, të cilat fermerët janë të detyruar t’i asgjësojnë. Për shkak të importit të pakontrolluar të vajit të palmës, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 5000 fermerë, 30 mijë të punësuarve direkt dhe indirekt në këto ferma, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 100 pikave grumbulluese me qindra të punësuar, rrezikohet ekzistenca e mbi 30 përpunuesve të qumështit dhe rreth 1000 të punësuarve në këto fabrika. Thjesht rrezikohet ekzistenca e sektorit të qumështit. Por mbi të gjitha, mos harroni: ky vaj është kancerogjen e gjenotoksik dhe rrezikon drejtëpërdrejt shëndetin publik, duke krijuar kështu edhe një kosto të paimagjinueshme“.

Memaj në fund ka lutur ministren që të obligojë doganat që janë nën ombrellën e ministrisë që ajo drejton të ndalojnë importin e këtij vaji sipas vendimit të MTI-së, ndërkohë që grupet punuese të caktojnë modalitetet për furnizimet e prodhuesve të veçantë të produkteve tjera.

Të ngjashme