​Thaçi dhe udhëheqës të tjerë të Kosovës dënojnë sulmin në Vjenë

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar sulmin qyqar që ka ndodhur mbrwmw në Vjenë të Austrisë.

“Jemi pranë familjeve të viktimave, të lënduarve dhe gjithë popullit të Austrisë në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sulmin në Vjenë e ka quajtur tronditës edhe kryeministri Avdullah Hoti. “Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë austriakë dhe bashkësisë ndërkombëtare në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj sulmeve terroriste që ndodhën mbrëmë vonë në Austri, përkatësisht në Vjenë.

Haradinaj ka ndarë dhembjen me familjarët që humbën të dashurit e tyre nga këto sulme.

“Terrorizmi goditi edhe Vjenën. Lutemi për jetët e humbura, solidarizohemi me popullin aleat austriak, ndajmë dhembjen me familjarët që humbën të dashurit”, ka shkruar Haradinaj në ‘facebook’.

Edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka dënuar sulmin terrorist në Vjenë.

“I shokuar nga sulmi terrorist në Vjenë, cak i të cilit ishin persona të pafajshëm. Në këto momente të rënda për popullin mik austriak, ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave dhe popullin austriak”, ka shkruar Limaj.

Limaj ka thotë se Kosova dhe qytetarët e saj janë përkrah Austrisë dhe aleancës ndërkombëtare kundër terrorizmit.

Të ngjashme