13-vjeçari u var në pleme, familjarët thonë se ishte djalë i hareshëm

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Sot iu dha lamtumira e fundit sugarit të familjes Ajvazi nga fshati Sojevë i Ferizajt. 13 vjeçari Adriatik Ajvazi, nxënës i klasës së shtatë, dyshohet se i dha fund jetës duke u varur në litar -në plemen e shtëpisë.

Familjarët dhe kujdestarja e klasës thanë se i mituri nuk ka shprehur asnjë shenjë depresioni as dje e as në të kaluarën. Madje rreth dy orë para momentit tragjik ai kishte luajtur me biçikletë bashkë me bashkëmoshatarët e tij në mëhallë. Prokuroria thotë se nuk ka asnjë dyshim se dikush ka mundur ta shtyjë 13-vjeçarin ta bëjë këtë veprim.

Rruga pranë shtëpisë ku Adriatiku luante çdo ditë ishte mbushur me njerëz. Të gjithë kishin ardhur për ta ngushëlluar familjen Ajvazi për humbjen e hershme të djalit të tyre. Me lot në sy, shokët e ngushtë të Adriatikut e mbanin në duar një kurorë me lule të bardha. Rreshti i gjatë i nxënësve të shkollës “Ramadan Rexhepi” i prirë nga kujdestarja e klasës së Adriatikut shkonin për në varrezat e fshatit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit nxënësit/shokut të tyre që një ditë më parë mbajtën orët mësimore me të. E, pas orarit të shkollës luajtën bashkë.

Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot në fshatin Sojevë, për të mësuar më shumë rreth ngjarjes tragjike që mbrëmë shokoi gjithë Kosovën. Askush nga familja e ngushtë e djalit të mitur nuk ishte të gatshëm për të folur për media, por në të pame qëndronin familjarë më të largët të cilët i thanë Gazetës se Adriatiku ishte djalë shembullor, nuk kishte probleme dhe asnjëherë nuk ka shfaqur shenja depresioni. Madje sipas tyre as prindërit nuk i dinë motivet që 13 vjeçarin e çuan drejt vdekjes.

“Djalë shumë i urtë. Ka shku në shkollë në klasën e shtatë, 13 vjet i ka pas. Nuk ka pas asnjë problem…deri para një ore ose dy para vdekjes ka lujt me shokët e vetë”, tha ky familjar.

Se Adriatiku ishte nxënës i shkëlqyeshëm e konformoi edhe kujdestarja e klasës së tij, Mirjeta-Kashtanjeva –Gashi.

“Ka qenë shumë i mirë i edukuar shumë mirë, ka qenë dje në shkollë si çdo herë i hareshëm, shumë i sjellshëm. Nuk është vërejtë absolut kurgjo që ka pas ndonjë shqetësim as dje as herave të tjera. S’ka mungu në shkollë, ka qenë nxënës i rregullt”, tha mësimdhënësja e historisë, kujdestare e klasës së shtatë në shkollën “Ramadan Rexhepi” në Sojevë.

Për të foli edhe shoku i klasës së Adriatikut, tha se si çdo ditë tjetër edhe dje rreth orës 16:00 kanë luajtur bashkë.

“Kena lujt dje në ora katër, kena lujt me biçikletë, ska thanë send.. djalë shumë i sjellshëm”, tha ai.

Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, Rasim Maloku i cili po ashtu tha se nuk kanë ndonjë sinjal se të miturin mund ta ketë nxitur dikush për të kryer vetëvrasje.

“Të dhënat e para tregojnë se nuk ka dyshim se i mituri ka pas shtytje prej dikujt për ta bërë këtë veprim. E kanë pa duke luajtur pak momente para se me bo vetëvrasjen, ka hy në një depo si pleme dhe e kanë gjetur të varur”, tha Maloku.

 “Ska asnjë dyshim që ka naj motiv që e ka shty najkush drejt këtij veprimi. Trupin e pajetë jau kemi liru familjarëve për ceremoni mortore”, përfundoi Maloku.

Konfirmimi i policisë për vdekjen e të miturit:

“Rerth orës 18:00, policia është informuar për një rast tragjik në Sojevë të Ferizajt. Ekipi mjekësor ka konstatur se një i mitur ndodhet pa shenja jete . Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe sipas informacioneve të para bëhet e ditur se personi i gjinisë mashkullore, 13 vjeçar, ka kryer vetëvrasje.

Me rastin e mbrëmshëm numri i personave që ia morën jetën vetës këtë vit ka shkuar në pesë. Këtë e ka bërë të ditur policia. Ndërsa, brenda dy muajve janë kryer edhe 13 tentim vetëvrasje.

“Janar 2019; një (1) rast vetëvrasje dhe 8 tentim vetëvrasje,

Shkurt 2019; tre (3) raste vetëvrasje dhe 5 tentim vetëvrasje”, tha policia.

Ndërsa, gjatë tërë vitit 2018 në Kosovë ndodhën 38 vetëvrasje dhe 163 tentim vetëvrasje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme