131 raste të pickimit nga rriqrat, vetëm gjatë këtij viti

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 17:22 | Nga

Në QKUK mjekët thonë se për dallim prej viteve tjera, sivjet është një vit i ‘qetë’ sa i përket epidemisë. Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në QKUK ka thënë se “ky është një vit i qetë”, për dallim prej vitit 2013 kur thotë se kemi pasur një epidemi që rezultoi me 11 vdekje.

Doktori Ahmeti për RTK-Live ka thënë se tashmë jemi në sezonin e shfaqjes së rasteve të sëmundjes.

“Por deri më tani kemi pasur vetëm raste pickimesh”, ka thënë doktori Ahmeti.

Ai ka shtuar se sivjet karakteristike janë dy raste me sindromin tjetër të etheve, atë veshkor apo të njohur ndryshe në opinion si ethet e minjëve.

Doktor Ahmeti ka thënë se numri i uljes së rasteve me ethe hemorragjike krime kongo që ka marrë shumë jetë njerëzish ka shënuar një rënie për shkak të sensibilizimit të situatës nga ana e vet punonjësve shëndetësorë, medieve por edhe vet qeverisë.

Por ai ka thënë se ende është herët që kosovarët të ndjehen të relaksuar sa i përket paraqitjes së rasteve epidemiologjike të etheve hemorragjike krime kongo.

“Ende nuk mund të flasim për zhdukjen e sëmundjes dhe duhet të marrim pasa sepse duhet pasur parasysh edhe faktorin biologjik”, ka thënë infektologu Ahmeti.

Ai ka thënë se ka pasur raste të mos paraqitjes së epidemisë mirëpo pas disa vitesh ajo është rishfaqur. Prandaj, thotë se masat e shtuara janë të domosdoshme. “Sëmundja hyn në grupin e sëmundjeve të rënda”, ka thënë doktori Ahmeti, duke e krahasuar atë me ebolën.

Sipas tij, në Kosovë rastet e para të sëmundjes janë shfaqur në vitin 1954. Ndërkohë, deri në vitin 1989 thotë se nuk ka një kronologji të përcjelljes së rasteve. Por pas kësaj periudhe, Ahmeti ka treguar se ka pasur raste të shpeshta epidemish, përfshirë atë të vitit 1995, 2001, 2004, 2010 dhe 2013.

Ndërkohë, sëmundja vdekjeprurëse që vije nga pickimi i rriqrave të prekura me virusin e etheve hemorragjike krime kongo në Kosovë ka marrë jetën e 76 personave nga vitit 1989 e deri më tash.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme