14 mijë 020 raste aktive me Coronavirus në Kosovë

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 94.656 raste nga 451.922 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.934 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 78.702 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.020.

Ndryshe, sot kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCovid-19, me qëllim të kontrollit, parandalimit dhe luftimit të pandemisë Covid–19.

Disa nga masat janë këto:

Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Nga data 7 prill deri më 18 prill ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç rasteve të natyrës urgjente.

Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Institucionet parashkollore dhe fillore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër Covid-19.

Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, homazhet). Përjashtimisht, pavarësisht numrit të personave mbajtja e të pames dhe dasmave ndalohet.

Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 7 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid – 19.

Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, burektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme