15 mijë euro për bateritë e zgjedhjeve

Prishtinë | 27 Maj 2017 | 20:11 | Nga

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për bateri 1.5 A V që do të përdoren gjatë tyre do të shpenzojë më shumë se 15 mijë euro.

Furnizimi me bateri 1.5 A V për zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i kushtojë Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) 15 mijë e 400 euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka publikuar njoftimin për dhënie të kësaj kontrate në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP).

Sipas njoftimit, kontrata në vlerë prej 15 mijë e 480 euro i është besuar kompanisë “Orbico” Sh.p.k. Kjo kompani ishte kujdesur që të furnizojë me bateri KQZ-në edhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014 dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Furnizim me bateri në vlerë prej 437 eurove (sipas njoftimit), kompania “Orbico” Sh.P.K, kishte realizuar edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit të mbajtura vitin e kaluar.

Blerjen e baterive KQZ-ja e ka realizuar me procedurën e negocimit, pa publikim të njoftimit apo thirrjes për kontratë edhe në këto zgjedhje.

Nga zgjedhjet e vitit 2013 deri te zgjedhjet e parakohshme 2017, KQZ-ja ka realizuar trend të njëjtë të shpenzimeve për bateri.

Vlerë lehtësisht më e lartë shënohet këtë vit. Nga zgjedhjet e 2013-ës deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të këtij viti, rezulton se KQZ-ja mesatarisht shpenzon 15 mijë e 300 euro për bateri (duke mos përfshirë shpenzimet për zgjedhjet e parakohshme 2016 në Komunën e Drenasit).

Në shpenzimet e përgjithshme i bie që KQZ-ja shpenzoi mbi 46 mijë euro për blerjen e baterive. Përderisa KQZ përdor bateritë për plotësimin e nevojave të saja për mbarëvajtje të zgjedhjeve, në anën tjetër bateritë janë bërë edhe subjekt i fushatës së partive politike.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja “Vetëvendosje” Albin Kurti kishte thënë se kjo lëvizje nuk punon me bateri, përderisa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte përdorur bateritë në një video promovuese politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme