15 rastet e reja me Coronavirus në Gjilan si pasojë e vizitave familjare me të prekurit nga Kamenica

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Gjilanit pas një jave pa raste me Coronavirus, dje ka shënuar 15 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të prekurve me Covid-19 në Gjilan tani ka arritur në 47. Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli tha se rastet e reja janë infektuar si pasojë e vizitave familjare me të prekurit në komunën e Kamenicës.

Nga të prekurit me Coronavirus nga komuna e Gjilnait, 5 raste janë në hospitalizim kurse 23 janë në tretman shtëpiak.

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli tha për Express se 15 rastet e reja nga kjo komunë janë infektuar si pasojë e vizitave familjare me të prekurit në komunën e Kamenicës.

“15 rastet e reja që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në komunën tonë dje janë raste kontakti që lidhen të gjitha me fshatrat e Kamenicës. Janë si pasojë e vizitave familjare”, ka thënë Ismajli.

“Mosha e të prekurve është mesatare, në hospitalizim momentalisht i kemi 5 persona, 23 janë në shtëpi, 18 të shëruar dhe 1 i vdekur. Në total në Gjilan janë 47 raste. Gjendja shëndetësore sipas mjekëve është stabile”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se sot nga kjo komunë janë marrë edhe 17 mostra për testim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Nga data 08 shkurt deri më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.890 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 703 raste, ndërsa gjithsej 19 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i të shëruarave në Kosovë deri më sot është gjithsej 162 raste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme