150 mijë kg mish i prishur u asgjësuan gjatë vitit 2018

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Ende pa u bërë një vit prej skandalit me mishin e prishur të Belgjikës, në vend ka plasur edhe një skandal tjetër me mish. Një qytetar nga Peja po dyshohet se me mishin e lopëve të ngordhura, kishte tentuar që të furnizonte byrektoret e qytetit me mish. Ndaj të njëjtit, Gjykata e Pejës i ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji. Ndërkohë, që vetëm gjatë vitit të kaluar në vend janë asgjësuar rreth 150 mijë kilogramë mish të prishur.

Rreth 1 mijë kilogramë mish të lopëve të ngordhura do të mund të ishin ngrënë nga kosovarët, nëse nuk do të ndërhynin Policia dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës për ta asgjësuar.

Sami Shkuliqi nga Peja, po dyshohet se kishte tentuar që me mishin e copëtuar e një lope të ngordhur të furnizonte byrektoret me mish, dhe të prodhonte suxhuk.

Ndaj tij dhe tre të tjerëve, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet nën dyshimet se tentuan të shisnin për konsum produkte të dëmshme ushqimore.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar Shkuliqi. Ai ka thënë se mishin e konfiskuar nga Policia e kishte ruajtur për ta ushqyer qenin.

“Pasha zoten nuk e kam qit në shitje ata mish, mishin kam pas me ja qit qenit”, tha i dyshuari.

Për këtë rast, kanë dhënë detaje edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Zëdhënësi për Media në AUV, Lamir Thaçi i ka thënë Gazetës Express se AUV’i ka inspektuar shtëpinë private të të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të shtetit, ku është gjetur kafsha e copëtuar, dhe pajisje ftohëse të vjetruara.

Në këtë institucion deklarojnë se në hapësira, ku është ushtruar veprimtaria, ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike dhe se produktet kundërmonin erë.

“Aty është gjetur edhe  një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike. Produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo ne rregull. Hapësirat ku është ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike, ka pasur  papastërti në hapësirat e therjes dhe ruajtjes se produktit.”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se në mungesë të dokumentacionit për produktet e gjetura, kushteve jo adekuate të ruajtjes, e gjithë sasia e mishit dhe produkteve të mishit është asgjësuar.

“Asgjësimi është kryer në mjetin transportues të kompanisë se higjienës publike në prani të Policisë, Në konsultim me Prokurorin e shtetit lënda i është dorëzuar policisë së hetimeve për ta dërguar në organet e drejtësisë.  Me të dyshuarit e implikuar në këtë rast po merren organet ndjekëse”, ka thënë ai.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka hasur në mish të prishur, e produkte të mishit me afat të skaduar.

Vetëm gjatë vitit 2018, inspektorati veterinar i AUV’it ka asgjësuar rreth 150 mijë kg mish dhe nënprodukte të mishit.

Në këtë institucion thonë se një sasi e madhe e artikujve të tillë ushqimor asgjësohen me kërkesën e vet subjekteve afariste.

“Gjatë vitit 2018 inspektorati veterinar i Agjencisë se ushqimit dhe veterinarisë ka asgjësuar 149,065  kg  mish dhe nënprodukte të mishit. Ne rastet kur artikujt janë gjetur ne treg të ekspozuara dhe të cilat kanë qenë të pa përshtatshme për konsum ato janë konfiskuar dhe janë asgjësuar, të gjitha  këto raste janë dërguar në gjykatë. Një sasi e madhe e  artikujve ushqimor me afat të skaduar asgjësohen me kërkesën e vet subjekteve afariste”, thuhet në përgjigjet e Thaçit drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar rreth 40 mijë kilogramë mish me cilësi të dyshimtë ishte shitur në tregun e brendshëm të Kosovës. Ky mish ishte konsumuar nga qytetarët e Kosovës. Mishi ishte eksportuar nga Belgjika në Kosovë nga kompania belge “Veviba”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme