16 biznese prezantojnë produktet e tyre në fushën e teknologjisë, të gatshëm për tregun ndërkombëtar

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 12:34 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Prishtinë po mbahet konferenca më e madhe rajonale në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, raporton Ekonomia Online.

Konferenca KosICT po mbahet për herën e tetë derisa tema kryesore është fokusuar në “Outsourcing” dhe ndikimi i tij në zhvillimin e ekonomisë lokale, si dhe në ndryshimet në strukturat e kompanive për tu adaptuar me trendet dhe nevojat globale në mënyrë që ta ngrisin nivelin e konkurrueshmërisë dhe kualitetin e shërbimeve të ofruara.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, tha se Kosova ka potencial të madh për të arritur në fushën e teknologjisë. Ai tha se shpreson që të ofrojë më shumë në këtë fushë.

“Ne jemi të bashkuar në ketë ndërmarrje për të sjellë IT kosovare, e cila është madhështore edhe për ndërkombëtarët”. “Gjithmonë kam besuar se ky vend ka potencial të madh dhe shumë shpesh nuk vlerësohet nga jashtë, sepse perceptimi për Kosovën është siç është jo vetëm nga ana politike”.

“Por edhe për sipërmarrjen, një perceptim i cili ndryshon menjëherë pas 24 orëve të para gjatë qëndrimit këtu. Shpresoj se Qeveria e re do të ofrojë një strukturë të shkojë edhe më lart”.

Matthew Cullinane, nga USAID-i tha se industria e IT-së mundëson vende pune të qëndrueshme, rrit eksportin dhe e shtyn zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Gjërat më të rëndësishme janë mësimi, relacionet dhe bërja e marrëveshjeve. Kosova është duke e ngritur industrinë e ICT, një mundësi e shkëlqyeshme, e cila mundëson vende pune të qëndrueshme, rrit eksportin dhe e shtyn zhvillimin ekonomik të Kosovës, të cilat janë prioritet i ShBA-së për Kosovën”.

Në këtë panair ishin të pranishëm 16 biznese sturt-up, ku patën mundësi që t’i shpalosin produktet e ndryshme të teknologjisë.

Njëri ndër ta, ishte edhe Edon Bardoniqi nga “Jiroo”.

Ai tha në këtë panair po prezantojnë një platformë digjitale me koncept të “ekonomisë së përbashkët”, e cila u mundëson individëve të përfitojnë nga mjetet e tyre motorike duke i lëshuar ato me qira. Ai tha se ideja e këtij projekti është lehtësimi i procedurave për personat që duan të marrin apo të japin makina me qira.

“Ne jemi një nga Start Up-et e ICK-së në këtë panair. Këtu kemi produktet të ndryshme të teknologjisë. Ne si “Jirro” ofrojmë shërbim dhe shërbimin që ofrojmë ne është ndërmarrësi për qira-dhënie dhe qira-marrje. Platforma jonë quhet “Jiroo”, ku të gjithë mund të klikojnë tek jiroo.com, është e thjeshtë dhe është e vetmja platformë në rajon dhe Evropë që mundëson ekonominë e shpërndarë, dmth të jep mundësinë në qoftë se posedon një makinë të shtëpia që nuk e përdor, atëherë ti mund t’i postosh disa fotografi të veturës te faqja jonë për ta dhënë me qira edhe me gjeneru të hyra ekstra për familjen tënde nga vetura që nuk e përdor”, ka thënë ai për EO.

Shpend Lila menaxher i Trajnimeve dhe Eventeve në Innovation Centre Kosovo (ICK), ka thënë për EkonomiaOnline, ka thënë se 16 biznese start-up kanë gati produkte dhe shërbime që janë të gatshëm për tregun ndërkombëtarë.

“Këtë vit ne kemi ardhë me 16 biznese, të cilët kanë shërbime dhe produkte gati dhe që janë të gatshëm për shitje në tregun ndërkombëtarë. Përveç kësaj, ne kemi edhe biznese tjera që veç janë pjesë e ICK-së por që realisht nuk janë gati dhe nuk kanë produkt për me qenë pjesë e panairit. Në kuadër të bizneseve Start-up ka biznese që janë në fushën e harduerit, në pjesën softuerike, në edukim, për video animacion e shumë të tjera”, ka thënë ai.

Të ngjashme