16 persona vdiqën brenda dy muajve në aksidente në Kosovë, më i rëndi ndodhi në Gjilan

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Për dy muaj janar-shkurt 2019 në Kosovë e humbën jetën 14 persona në aksidente të ndryshme trafiku. Ndërsa, në mars konkretisht ditën e enjtë ndodhi një aksident tragjik në Gjilan, ku la të vdekur 53 vjeçarin Qerim Çoçaj. Atij dje iu dha lamtumura e fundit në fshatin e lindjes në Has të Prizrenit. Nga ky aksident lëndime kanë pësuar edhe 23 persona tjerë, tre nga ta morën lëndime të rënda. Njëri vazhdon të jetë në gjendje më të rëndë shëndetësore

Gjatë periudhës dy mujore në Kosovë lëndime trupore në komunkacion morën gjithësej 1257 persona, tha policia të shtunën për Gazetën Express. Po ashtu ndodhën edhe 1310 aksidente që përfunduan vetëm me dëme materiale. Po në këtë periudhë kohore policia ka shqiptuar 63356 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme.

Numri i aksidenteve fatale është në rritje nëse e krahasojmë me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

“Në periudhën janar-shkurt 2019 jetën në aksidente e humbën 14 persona, apo tre më shumë se në periudhën e njejtë kohore me 2018”, tha policia.

Madje një aksident me fatalitet ndodhi dje në Podujevë. Me vdekjen e tij numri i personave që kanë humbur jetën në komukacion këtë vit ka shkuar në 16.

“Rr. “Xhemajl Mustafa”, Podujevë 08.03.2019 – 15:15. Raportohet aksident trafiku me fatalitet me përfshirjen e dy automjeteve me tabela vendore dhe me vozitës meshkuj K/Shqiptar. Vdekjen e vozitësit e ka konstatua mjeku kujdestar  në qendrën e mjekësie familjare Podujevë. Me vendimin e prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML. Rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime”, njoftoi policia.

Nuk ka javë që në vendin tonë nuk raportohet për aksidente fatale. I fundit ndodhi ditën e enjtë në Gjilan. Një kamion që dyshohet se gjatë lëvizjes iu prishën frenat godito për vdekje një person dhe lëndoi shumë të tjerë. Bëhet e ditur se gjendja e të lënduarve në mesin e 23 personave gjithësej është jashtë rrezikut për jetën. Përveç njërit që që ka gjendje më të rëndë shëndetësore, kështu konfirmoi gjatë të shtunës Shpend Fazliu nga zyra për informim në QKU.

“Tre personat e transferuar  nga Spitalit i Gjilanit fillmisht kanë marrë tretmanin në Klinikën Emergjente. Një është transferuar në kirurgji torkale jashtë rrezikut pë jetë. Një në neurokirurgji poashtu jashtë rrezikut për jetë. Një pas operacionit disa orësh nga neurokirurgët është transferuar një mjekim intensiv qendror, gjendja është e rëndë, stafi mjekësor po ofron kujdes maksimal”, tha Fazliu për Gazetën Express.

Ndryshe, për një javë në katër aksidente të ndryshme trafiku jetën e kanë humbur gjashtë persona, të gjithë këta të gjinisë mashkullore, madje katër nga ta të moshës së re prej 20 deri në 26 vjeç.

Dy aksidente fatale me tren

Dita e parë e muajit mars nisi me dy lajme tragjike. I.H 20 vjeç, ka humbur betejën nga plagët që ia shkaktoi një tren ditë më parë në afërsi të kazermës “Adem Jashari”. Ky i ri atë ditë kishte shkuar për të aplikuar si rekrut në FSK, por u godit nga një tren dhe mori plagë të rënda trupore. Për disa ditë rresht qëndroi në intensivë në QKU por mbrëmë ndërroi jetë.

Aksidenti tjetër me tren ndodhi në Pejë. Madje në vendin e ngjarjes ndërroi jetë Sahit Lokaj 51 vjeçar.

Po ashtu ditë më parë tre anëtarë të familjes Sope nga fshati Zhur i Prizrenit kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në aksin rrugor Prizren- Zhur. Babai Ramiz Sope, 50 vjeç, bashkë me dy djemtë e tij, Behar Sope, 24 vjeç, dhe Lumbardh Sope, 22 vjeç, u aksidentuan për vdekje me një kamion për pastrimin e borës. Deri më tani, dyshimet e para të prokurorisë thonë se aksidenti është shkaktuar nga vetura e viktimave.

Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion. Po ashtu për zvogëlimin e numrit të aksidenteve në publik janë shpërndarë disa kampanja vetëdijësuese.

Statistika shtesë rreth aksidenteve në trafik gjatë 2018-s:

Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018.  Këtë shifër e dha Policia për Gazetën Express.

“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur”, tha policia.

Të ngjashme