Skënderbeu trasoi orientimin e sigurt të rrugës Evropiane

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 11:10 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ka mbledhur shumë studiues vendorë e ndërkombëtarë të veprës së Heroit, në Prishtinë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, tha se Skënderbeu si një strateg i shquar luftarak arriti që t’i vë themelet e shtetit shqiptar, duke luftuar perandorinë pushtuese osmane, raporton EkonomiaOnline.

“Skënderbeu është njëri nga figurat më te respektuara të historisë tonë. Ai si një nga strategët më të njohur të artit luftarak për 25 vjet arriti t’i vë themelet e shtetit shqiptar. Ai shërbeu si figura pikënisëse e shume proceseve, ishte shembulli më i mirë për ndërgjegjësim kombëtar”.

Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Sabit Syla, tha se organizimi i kësaj konference bëhet për ta kujtuar dhe respektuar Skënderbeun, i cili sipas tij na bënë krenar.

“Një nga hapat e parë ishte themelimi me nismën e tij Besëlidhjen e Lezhës. Aftësitë e Skënderbeut tregohen edhe në aspektin ndërkombëtar”.

“Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në popullin e tij, vepra e tij u lartësua edhe në arenën ndërkombëtare. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flasin për të. Vepra e tij ka inspiruar popuj të tërë, u bë frymëzim në artin letrar, muzikor dhe pamor”.

Jahja Lluka, kryetar i Komisionit Ndërministror për vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut, tha se Skenderbeu trasoi orientimin e sigurtë të rrugës evropiane, raporton EO.

“Shqiptarët janë rritur dhe zhvilluar më figurën e madhe të tij historike. Me flamurin e Skënderbeut shqiptarët kanë prirë shumë beteja, janë dhënë shumë jetëra. Ai na trasoi orientimin e sigurt të rrugës tonë evropiane dhe perëndimore. Sa më të bashkuar dhe më të lidhur që jemi, aq më të sigurt do ta kemi të ardhmen tonë në bashkësinë ndërkombëtare.”

Lluka ka kërkuar që jeta dhe vepra e Skënderbeut të shërbejë si model dhe frymëzim se si duhet atdheu, si ruhet liria dhe pavarësia.

Marelen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, duke e quajtur Skënderbeun si emblemë luftarake të shqiptarëve, tha se ai ngjason me emblemën e paqes të popullit tonë, Nënë Terezë.

Verli u shpreh se Skënderbeu krijoi të ardhmen e shqiptarëve.

“Kudo që jetojnë shqiptarët ky vit ka qenë i Skënderbeut, atë po e kujtojnë edhe italianet, polakët, hungarezët, gjermanët. Është përmendur edhe në Amerikë për vlerat e tij. Emblema jonë e luftës ka shumë ngjashmëri me emblemën tonë të paqes Nënë Tereza”.

Ambasadori i Hungarisë, Laslum Markus, tha se Skënderbeu gjithë jetën e tij ia kushtoi mbrojtjes së Ballkanit nga Perandoria Osmane.

”Mburrem që Akademia e Shkencave të Hungarisë ka reaguar ndaj kësaj iniciative në mënyrë konstruktive dhe më vjen mirë që janë një numër i madh i studiuesve tanë”.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës u ka bërë thirrje shqiptarëve që si në kohën e Skënderbeut të afrohen më njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë, e jo siç tha, të jenë të ndarë si sot për çështjet madhore.

“Bashkimi si shprehje e fuqisë dhe bashkëpunimit ku ngadhënjenë e mira dhe e vërteta, janë synim dhe realizim. Së bashku kërkojmë të mirën e përbashkët, e jo siç fatkeqësisht nuk po dimë të jemi së bashku për çështje madhore. Afrimi dhe bashkëpunimin e bëjnë Skënderbeun figurë unike, i cili mundi të krijoj këtë rrugëtim shkallor. Skënderbeu pati forcën dhe guximin t’i kthehet rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë.  Ai është shembull i shkëlqyeshëm i diasporës, i cili nuk mendon me bark, por me kokë. Ai është dhe mbetet modeli i intelektualit e filozofit”.

Të ngjashme