2 400 persona kanë aplikuar për statusin e viktimave të dhunës seksuale, 212 janë refuzuar

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Deri më tani 2400 persona kanë aplikuar për statusin e viktimave të dhunës seksuale pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Personave të Dhunuar gjatë luftës, ndërkohë që, 212 aplikacione janë refuzuar.

Kështu ka bërë të ditur në “Express Intervista”, Veprore Shehu nga organizata “Medica Kosova”, teksa ka folur për takimin që ka mbajtur sot Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Persona të Pagjetur dhe Peticione, me organizatat që ofrojnë mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shehu ka thënë se refuzimet e aplikacioneve janë bërë kryesisht për shkak të siç është thënë, zbrazëtirave në përshkrimin e ngjarjes traumatike.

“Numri i atyre që kanë aplikuar është mbi 2400. Kjo është informatë nga Komisioni Qeveritar meqenëse ai pranon aplikacione për personat e dhunuar gjatë luftës. Ka edhe të refuzuar, janë 212 aplikacione të refuzuara dhe për ne kjo është shqetësuese. Sigurisht sipas arsyetimeve të ofruar nga Komisioni qeveritar ka pasur zbrazëtira në përshkrimin e ngjarjes traumatike në aplikacionet të cilat i dorëzojnë tek sekretaria e Komisionit qeveritar. Edhe ne si organizatë, kemi qenë pjesë e draftimit të procedurave dhe kemi kërkuar prej fillimit që ngjarja traumatike të jetë bazamenti që do të ndikojë në vendimmarrjen e Komisionit. Kanë kaluar mbi 20 vite dhe sigurisht se dokumentimi fizik i kësaj është i pamundur dhe pastaj mungojnë edhe dokumentimet e mjekut nga ajo kohë”, ka thënë Shehu.

Ajo ka folur edhe për numrin e fëmijëve të lindur si pasojë e dhunimeve gjatë luftës teksa ka thënë se kjo është një temë edhe më e ndjeshme se çështja e dhunimeve dhe viktimave të tyre.

“Supozohet, ose të paktën në kohën kur është themeluar Instituti për Krime Lufte i cili akoma nuk është funksional, diku është thënë se 100 fëmijë kanë lindur si rezultat i dhunës gjatë luftës në Kosovë, megjithatë është një shifër e supozuar dhe kjo është një temë dyfish më e ndjeshme sesa vetëm dhunimi dhe viktima sepse kjo është me pasoja më afatgjata”, është shprehur Shehu.

Duke folur për Ligjin lidhur me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka thënë se ka mangësi sa i përket periudhës kohore kur llogariten këto viktima.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme