20-vjetori i masakrës së Belegut, përgjegjësinë që nuk e mori askush

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 17:07 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janë bërë 20-vjet nga njëra ndër masakrat më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë, ajo e Belegut. Dy dekada më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, në fshatin e Belegut të Deçanit, u vranë dhe u masakruan 46 shqiptarë.

Pikërisht në këtë ditë, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë ka organizuar ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti i Belegut”, raporton Ekonomia Online.

Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit, ka treguar mbi rastin Belegu dhe ngjarjet që kanë ndodhur nga koha kur lufta kishte filluar në Kosovë.

“Gjatë tërë marsit janë vrarë ose zhdukur 2277 civilë. Vetëm mes datave 24 dhe 31 mars janë vrarë apo zhdukur 2129 civilë, 97 për qind e tyre shqiptarë. Sot 20 vite më parë 38 burra nuk u lejuan të largoheshin dhe u mbajtën në katin t tretë në shtëpinë e Xhafer Zukajt”, tha Dedi.

Dedi tha se për krimet në këtë vend, dëshmuan disa përsona në Tribunalin e Hagës.

“Për krimet e Belegut dëshmuan disa persona edhe në Tribunalin e Hagës. Vrasjet dhe zhdukjet në Beleg kanë ndodhur në zonën e përgjegjësisë së Brigadës së 125 të motorizuar që ishte pjesë e Korpusit të Prishtinës në kuadër të Ushtrisë Jugosllave të cilët i kanë kryer këto krime në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht Policinë”, tha ajo.

Sipas saj, ndonëse janë deklaruar shumë vepra dhe dëshmi, prokurori kishte pranuar vetëm dy vepra penale.

“Tre dëshmitarë kanë dëshmuar për dëbimet,  keqtrajtimet, dhunimet, vrasje e zhdukje në Beleg, në rastin kundër Millosheviqit dhe të tjerëve. Megjithatë prokurori në aktakuzë ka pranuar vetëm dy vepra penale: dëbim dhe dhunë seksuale. Me aktgjykim janë dënuar për dëbim të popullatës civile në Beleg: Nikola Shainoviq, Nebojsa Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Sreten Lukiq”, shtoi Dedi.

Sipas Dedit, për vrasjet dhe zhdukjet në Beleg, as sot e 20 vite pas askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ku edhe kësaj dite fati i shumë të pagjeturve të këtij fshati si dhe fshatrave të tjera të Komunës së Deçanit, mbetet ende i pa zgjidhur.

Ata që mbetën në këtë shtëpi ishin: Shaban, Haxhi e Ali Kadrijaj. Aliu e Shabani u gjetën në 2005 dhe u rivarrosën; Hysni, Shaqë e Zymber Binakaj, nga të cilët i fundit mbetet i zhdukur; Nekë Binakaj ende i pagjetur; Hazir Zukaj, Brahim dhe Kadri Zukaj të pagjetur; Beqir Dervishaj, i pagjetur; Familja Hadërgjonaj, Familja Tolaj, Tafë Dinaj që ëshë ende i zhdukur ashtu si Shaban Nitaj, Smajl Ukëhaxhaj, Ramë Kilaj, Ragib Morina, Rexhep Neziraj mbetën të zhdukur. Familja Vishaj, Qazim Hilaj dhe Familja Mazrekaj janë nga ata që u mbyllën në katin e tretë të asaj shtëpie.

Të ngjashme