221 raste të dhunës në shkolla gjatë vitit 2020

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

221 raste të dhunës në institucione arsimore, ose në afërsi të tyre, janë raportuar në Polici gjatë vitit 2020.

Ndërkohë, vetëm këtë javë kanë ndodhur dy raste të incidenteve, në të cilat janë përfshirë nxënës të mitur. Të hënën, një nxënës 15-vjeçar u vra në afërsi të shkollës së Mjekësisë në Prizren, pas përleshjes me thikë me disa nxënës të tjerë. E të martën, afër shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë, një nxënës i klasës së 9-të mbeti i lënduar nga një përleshje po ashtu me thikë, që e pati me një nxënës të një shkolle tjetër.

Policia ka bërë të ditur se gjatë vitit 2019 kanë qenë 490 raste të dhunës në shkolla ose në afërsi të tyre. Sipas Policisë, në uljen e këtyre rasteve ka ndikuar mbyllja e institucioneve arsimore që u bë vitin e kaluar si pasojë e pandemisë.

“Bazuar në statistikat e PK-së, Prishtina ndër vite figuron si vendi ku ka raste më të shumta të incidenteve në shkolla dhe përreth shkollave për shkak të numrit më të madh të banorëve/qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Psikologia, Natyra Agani, vlerëson se janë disa shkaqe që çojnë në sjellje të tilla të nxënësve, siç është gjendja e rëndë ekonomike e familjeve dhe mungesa e monitorimit të prindërve. Rol negativ, sipas saj, ka edhe mungesa e psikologëve në shkolla.

“Mungesa e rolit të psikologut shkollor në kontekstin e shkollës është jashtëzakonisht evidente, sepse kishin mujt me u adresu shumë më lehtë dhe shumë më mirë plot probleme që fëmijët i kanë në shkollë në kanalizimin e këtyre problemeve në sjellje të përshtatshme dhe jo në sjellje të cilat munden me qenë edhe fatale, siç i patëm rastet e fundit prandaj kërkohet një vëmendje shumë më e theksuar prej politikëbërjes dhe ekspertëve të shëndetit mendor, por jo vetëm për me fuqizuar më tutje rolin e psikologut shkollor”, ka thënë ajo.

Shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë psikolog. Ministria e Arsimit nuk është përgjigjur nëse planifikojnë që këtë vit ta shtojnë numrin e tyre në shkolla.

Në lidhje me dy rastet e fundit të incidenteve me nxënës ka shprehur shqetësim edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Përmes një reagimi, ky këshill i ka ftuar MASH-in, drejtoritë komunale, drejtuesit e shkollave e policinë që të angazhohen në evitimin e dhunës në institucione shkollore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme