23 vjet pas rrëmbimit e zhdukjes, sot rivarrosen Osman Osmani e Rexhep Rexhepi

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Mbetjet mortore të Osman Osmanit dhe Rexhep Rexhepit, të identifikuar muaj më parë nga mostrat e dërguara për analizë, do të rivarrosen sot në Syriganë të Skënderajt, 23 vjet pas rrëmbimit dhe zhdukjes nga forcat policore serbe.

Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës, rivarrimi, sipas kërkesës së familjes, do të bëhet sot, më 8 qershor në orën 16:00, që përkon me datën e rrëmbimit dhe zhdukjes.

Mbetjet mortore të dy viktimave të luftës janë gjetur dhe zhvarrosur gjatë gërmimeve muaj më parë në Syriganë.

Pos njoftimit për rivarrimin e Osmanit dhe Rexhepit, Qeveria ka njoftuar edhe për pesë identifikime të reja nga mostrat që janë dërguar nga institucionet e Kosovës, për të cilat ka thënë se janë njoftuar familjet e personave të identifikuar. Po ashtu është konfirmuar se mostrat nga mbetjet mortore të zhvarrosura gjatë këtij viti nga varreza masive në Kizhevak tanimë janë në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në procedurat për identifikim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në angazhimin maksimal për trajtimin me prioritet të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme