24 punonjës me Covid-19, vështirësohet funksionimi i sistemit shëndetësor në Lipjan

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar mbi 300 numri i rasteve aktive me koronavirus në komunën e Lipjanit. Në mesin e tyre së fundi janë prekur me virusin korona edhe 24 punonjës shëndetësorë, gjë që ka vështirësuar funksionimin e sistemit shëndetësor në këtë komunë.

Shtabi Emergjent në bashkëpunim me drejtorinë komunale të Shëndetësisë, thonë se janë mobilizuar për ta plotësuar dhe riorganizuar numrin e punonjësve duke i mbyllur disa punkte shëndetësore nëpër fshatra që kanë më pak frekuentim të pacientëve, raporton KOHA.

Merita Bytyqi, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit ka thënë se prej javës së kaluar është përkeqësuar gjendja, duke pasur raste pozitive me numër dyshifror e që IKSHPK-ja e ka futur në zonë të kuqe.

“Aktualisht janë katër mjekë të prekur nga Covid-19, pjesa dërmuese është e stafit të mesëm, infermierë, mami dhe teknikë laboratori, por edhe dy nga stafi mbështetës, njëri është punëtor administrate dhe tjetri staf teknik”, ka thënë Bytyqi.

Sipas drejtoreshës Bytyqi, shkaku i mungesës së stafit në QKMF, komuna ka bërë një riorganizim duke e mbyllur punktin në Smallushë, Rubofc dhe duke zvogëluar orarin e punës në Janjevë.

Ndërkaq, Fitim Mëziu, specialist i mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka thënë se që nga fundi i javës së kaluar është përballur me simptoma të virusit, ndërkohë gjendja shëndetësore e tij dhe familjes ende nuk është përmirësuar.

“Kemi të bëjmë me këtë virus i cili nuk po kursen askënd, sidomos duke e marrë parasysh që ne në kujdesin primar shëndetësor jemi hallka e parë e kontaktit me pacientë. Është e natyrshme që mundësia e infeksionit është mjaft e madhe”, ka deklaruar Mëziu.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë në Komunën e Lipjanit janë regjistruar rreth 850 raste me koronavirus, prej tyre rreth 480 janë shëruar dhe ndërkohë janë regjistruar 22 vdekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme