25.4 milionë refugjatë në botë – Turqia më mikpritësja, Kosova në rrugë të mbarë

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 11:27 | Nga Halide Rexhepi

Agjencia e OKB-së për Refugjatë UNHCR në Kosovë ka mbajtur takim për të ngritur vetëdijen për Marrëveshjen Globale për Refugjatët, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Refugjatëve, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Misionit të UNCHR në Kosovë, Erol Arduç, tha se kjo marrëveshje është arritur si kundërpërgjigje për krizën e refugjatëve, dhe se është e detyrueshme, por përfshin zotime të shteteve pjesëmarrëse për respektim të saj.

“Ka pasur konferenca në mbarë botën për refugjatët dhe migrimin. Disa prej jush ndjeheni të lodhur sa flitet për migrimin në media. Në 10 vitet e fundit mund të vërejmë një përparim, ky është rezultat i këtyre përpjekjeve. Duke filluar nga kriza e madhe në fillim të viteve 2000, po i referohem dyndjeve nga Afrika nga Sudani dhe lëvizjet e mëdha nga Siria që kishin ndikim të madh në botën perëndimore, këto i kanë dhënë arsye botës perëndimore për të vepruar të mendojnë si të ndryshohet kundërpërgjigjja”.

Arduç shtoi se në mbarë botën aktualisht janë 68.5 milionë persona të zhvendosur, ndërsa 25.5 milionë refugjatë.

Turqia prin me numrin e refugjatëve të pranuar brenda vendit.

“Kemi 68.5 milionë persona të zhvendosur në mbarë botën; 40 milionë brenda vendeve dhe 25.4 milionë refugjatë. Turqia prin me këtë numër për nga vendet. Janë numra abstraktë, por në shoqëri në rrugë mund ta vëreni  praninë e refugjatëve, e them nga përvoja në Stamboll… Ata nuk janë të mbrojtur mjaftueshëm, nuk kanë strehë”.

Sipas tij, objektivat e Marrëveshjes Globale për Refugjatët janë që të shkarkohet trysnia nga vendet që kanë numër të madh të refugjatëve dhe tu ofrohet ndihmë refugjatëve, që ata të kanë pavarësi dhe që ata të kthehen me dinjitet në vendet e tyre.

Murat Shahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, i cili në këtë takim merrte pjesë në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për Zhvillim të OKB-së, u shpreh se kjo marrëveshje i fton vendet pjesëmarrëse që të ndajnë përgjegjësinë për refugjatët.

“Këto në të vërtetë ofrojnë një kornizë për ndarje të drejtë. Në këtë kontekst është me rëndësi të reflektohet mbi agjendën 20/20; është më rëndësi askush të mos anashkalohet. Në nivel global hisedarët ftohen të adresojnë shkaqet e situatave për refugjatë”, tha ai.

Shahin theksoi se edhe Kosova mund të ndihmojë në këto aktivitete përmes misionit të OKB-së që te arrihet agjenda e përbashkët.

Izmi Zeka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, tha se autoritetet e Kosovës edhe pse nuk ka qenë pjesë e Marrëveshjes Globale për Refugjatët, veprimet që i ka ndërmarrë si shtet kanë buruar nga kjo marrëveshje, dhe kanë përmbushur disa nga këto objektiva.

“Autoritete tona i kanë përcjellë zhvillimet sa iu përket refugjatëve dhe vazhdojmë t’i përcjellim edhe sot. Kemi punuar për t’i respektuar ato marrëveshje… si dhe në integrimin e refugjatëve”, tha ai.

Marrëveshja Globale për Refugjatët flet për rëndësinë e pritjes të refugjatëve, të mbrojtjes dhe të ndihmës për refugjatët. Kjo marrëveshje njeh rëndësinë e pritjes, të mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët.

Me këtë rast u shfaq edhe një video informuese lidhur me Marrëveshjen Globale të Refugjatëve.

Të ngjashme