298 aktakuza ndaj politikanëve që nga shpallja e pavarësisë, tetë prej tyre dhanë dorëheqje

Prishtinë | 26 Dhj 2020 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Në bazë të monitorimit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi janë identifikuar 298 raste kur sistemi i drejtësisë ka ngritur aktakuza ndaj politikanëve në nivelin qendror dhe atë lokal.

Këto u bënë të ditura gjatë publikimit të raportit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me temën “Politikë e Kriminalizuar”. Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka sqaruar se nga 298 raste, 70% prej tyre kanë qenë kur politikanët ishin në pozita zyrtare ndërsa 30% kur nuk kanë qenë në pushtet.

Ai ka thënë se numri më i madh i aktakuzave është ngritur ndaj zyrtarëve të PDK-së.

“IKD në kuadër të monitorimit ka përgatitur këtë raport që përfshin prej shpalljes së pavarësisë deri në maj të 2020. Në bazë të monitorimit kemi identifikuar 298 raste ku sistemi i drejtësisë ka ngritur aktakuza në nivel qendror e lokal dhe ky numër do të ishte më i madh në qoftë se policia do t’i hetonte. Nga 298 raste 70% prej tyre janë kur kanë qenë në pozita zyrtare dhe 30% kur nuk kanë qenë në pushtet”, ka thënë Miftaraj.

Prokuroria ka ngritur 51 aktakuza ndaj kryetarëve të komunave.

Edhe në nivel lokal sikur atë qendror numri më i madh i aktakuzave është ngritur ndaj anëtarëve të PDK-së.

Leotrim Gashi nga IKD-ja ka thënë se nga 298 raste të aktakuzave, tetë prej këtyre zyrtarëve kanë dhënë dorëheqje.

“Në kuadër të kësaj analize ka rezultuar se nga 298 aktakuza vetëm 8 raste kanë dhënë dorëheqje dhe kjo i bie që është përqindje e vogël e rasteve kur politikanët kanë treguar integritet”, ka thënë ai.

Valentina Shahini nga IKD-ja ka rekomanduar që prokuroria të ngritë efikasitetin hetimor ndaj zyrtarëve të lartë.

“Rekomandohet që prokurori të ngritë efikasitetin hetimor ndaj zyrtarit të lartë dhe rekomandohet që në raste të aktakuzave të bëhet propozimi i shqiptimit të dënimit plotësues, dhe rekomandohet që prokurori të njoftojë opinion publik lidhur me aktakuzat dhe seancat gjyqësore”, ka thënë Shahini.(Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme