300 gjoba për ndotje të mjedisit, paralajmërohet fushatë e re

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 11:07 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova”, ka mbajtur punëtorinë “Politikat mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se deri më tani janë shqiptuar 300 gjoba mandatore ndaj atyre që ndotën ambientin. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka paralajmëruar fushatë të re për mjedisin në bashkëpunim me Let’s Do It Kosova, por nuk ka dhënë detaje rreth kësaj fushate.

Luan Hasanaj, drejtor i “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se pas aksionit tremujor në pastrimin e territorit të Kosovës, e mira është se janë angazhuar të gjithë.

“Kemi të drejtë të shpresojmë për një të ardhme më të mirë sepse mjedisi me të vërtetë është i lënë anash nga të gjithë, jo vetëm institucionet. Vlera më e madhe e gjithë kësaj është përfshirja e të gjithë akterëve. Është një debat që i ka munguar shoqërisë.  Problemi i mjedisit ka me u zgjidhë vetëm atëherë kur shoqëria vetë aktivizohet”, tha Hasanaj.

Valton Karaxhiu, nga “Let’s Do It Kosova, ka thënë se brengë po mbetet ajo se çka do të ndodhë tash e tutje.

“Pasi ne e kemi bë këtë punë kaq të mirë brenga kryesore është çka bëjmë më tutje. Neve na mungon ky bashkëpunim dhe duhet me pa ku e kemi këtë mangësi. Sado vullnet që kemi as OJQ-të e  as inspektorët nuk mund të jenë në çdo vend me zbatu ligj dhe me e mbajt këtë vend të pastër”, ka thënë Karaxhiu.

Leotrim Sahiti, këshilltar i ministrit të MMPH-së, ka thënë se që nga përfundimi i fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Kosova është më e pastër. Ai ka përmendur si ndihmesë edhe udhëzimin për gjobat mandatore.

“Barra kryesore e zbatimit të këtij udhëzimi bie mbi inspektoratin. Që nga plotësim-ndryshimi kemi 300 gjoba mandatore që janë shqiptuar nga inspektorati jonë. Ne dëshirojmë të kemi një vetëdijesim gjatë vitit 2019-të, do kemi aktivizim më të madh të inspektorëve dhe një fushatë më aktive për qytetarët në bashkëpunim me “Let’s Do It Kosova”, por edhe me gazetarët që shumë shpejtë do bëhet publike”, ka thënë ai.

Ai shtoi se po ballafaqohen me problemin e shisheve të plastikës dhe të qeseve të plastikës.

“Një nga problemet më të mëdha që po ballafaqohemi është plastika. Në këtë aspekt me GIZ-in gjerman kemi pasë një takim të cilët po merren me kthimin e sistemit të depozitave. Do të kërkojmë kthimin e shisheve që ato të mos i kemi në natyrë. Ne kemi marrë model shtetin e Estonisë. Përveç kësaj po merremi me çështjen e qeseve të plastikës. Jemi në fazën e pas miratimit të planit legjislativ të këtij ligji ku jemi para ndryshimit të tij”, tha ai.

Vesa Bala, nga AGK, ka thënë se mbështesin të gjithë gazetarët që merren me mjedisin.

“Ne gjithmonë do të japim mbështetje të gjithë gazetarëve edhe nëse hasin në kundërshtime nga institucione. Vazhdojmë me i mbështet të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë me mjedisin”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.

Bajram Likani, Përfaqësues nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ka thënë se sfidat e mbrojtjes së mjedisit janë të njëjta si për institucionet, qytetarët dhe bizneset. Sfidë të kompanisë ka quajtur deponitë e mbeturinave.

“KMDK është në perëndim të fazës së deponive dhe kjo është sfida më e madhe. Janë duke punuar strategjinë dhe parashihen zhvillimet deri në vitin 2029 në sektorin e mbeturinave”, tha ai.

Kosova është shpallur vendi me organizimin më të suksesshëm të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” për vitin 2018 nga Let’s Do It World, në mesin e qindrave vendeve të botës që janë pjesë e kësaj Lëvizje Globale.

Të ngjashme