4 policë rrahën qytetarin: Eksperti i sigurisë i tregon se si është dashur të veprohet

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Video e publikuar mbrëmë ku shihen se disa zyrtarë policorë ushtrojnë dhunë ndaj personit me inicialet B.S. në prezencën e fëmijëve dhe gruas me të vetmen arsyeje “mos-mbajtja e maskës” ka bërë që të ketë reagime të shumta nga njerëz më përgjegjësi publike.

Për të sqaruar rastin më hollësisht ka folur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai thotë se nuk arsyetohet kjo lloj dhune, pavarësisht rasteve të shpeshta që kemi me sulme të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë.

Ibishi thotë se nuk duhet të jetë kjo arsyeja që zyrtarët policorë të tejkalojnë përdorimin e autorizimeve

“Ne jemi dëshmitarë për rastet mjaft të shpeshta të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, mirëpo kjo nuk është aryeja që zyrtarët policorë të tejkalojnë përdorimin e autorizimeve duke ju përshtatur parimeve udhëzues të ligjit të policisë që nënkupton legjitimitetin përshtatshmërinë, proprocianilitetit”, tha Ibishi për Periskopin

Ibishi tutje ka sqaruar se cilat janë hapat që duhet të ndërmerr policia në raste se qytetari nuk iu bindet urdhërave.

Ai thotë se të gjitha mundësitë tjera kanë mundur të përdoren por dhuna assesi.

Ibishi thotë se personi në fjalë është dashur të prangoset dhe të niset për në stacionin e policisë nëse veç është ashtu sic ka raportuar policia, që personi me inicialet nuk ka dashur të zbatojë urdhrin e policisë.

“Nëse qytetari nuk i bindet urdhrave të policisë, nuk ka të drejtë prej një sulmi verbal të një qytetari të përdorë forcën. Fillimisht shkohet prej masave më të lehta, nëse veç ka qenë një konflikt i lehtë verbal… nuk ka pasur të drejtë të përdoret dhuna, e vetmja që policia ka mundur të bëj nëse kundërshton qytetari, policia duhet të shoqërojë personin në fjalë për në stacionin e policisë. Nuk ka sulm sepse ka mundësi të tjera, ai nuk ka dashur të zbatojë urdhrat ka mundur të prangoset të shoqërohet në Polici, por jo të bëhet një gjë e tillë në prezencën e fëmijëve”, ka përfunduar Ibishi.

Ndryshe Policia e Kosovës ka arsyetuar rastin duke thënë se policia ia ka tërhequr vërejtjen të dyshuarit me inicialet B.S, i njëjti ka pasë sjellje arrogante ndaj uniformës blu, madje ka ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët policor.

Të ngjashme