5 rastet me Coronavirus në Mitrovicë janë nga fshati Rekë, kontakte të të infektuares së parë

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 22:31 | Nga Ekonomia Online

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, të shtunën janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuaren të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitiv me koronavirusin COVID-19.

Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nëpërmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vet-izolim, dhe pas 14 ditësh do të testohen prapë.

“Duke pasur parasysh se nga nesër komunës veriore të Mitrovicës do t’i heqet masa e karantinës, atëherë i lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19”, shkruan Bahtiri.

“Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.

“Të dashur qytetarë, me ndihmën e juaj do t’ia dalim edhe kësaj radhe”, shprehet Bahtiri.

Të ngjashme