52% e qytetarëve s’kanë komunikuar me komunat e tyre, vetëm 20% të kënaqur me punën e institucioneve

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 11:59 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) ka publikuar dokumentin “Raporti mbi performancën e komunave në fushën e komunikimit me qytetarë”.

Me këtë rast është shënuar edhe përfundimi i projektit “Qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse”, mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung, (FES), Zyra në Prishtinë, në kuadër të programit “Kosova që Duam”.

Në bazë të të dhënave të raportit del se më shumë se gjysma e qytetarëve nuk kanë komunikuar me përfaqësues nga komunat e tyre, përderisa 20 % janë shprehur të kënaqur me punë e institucioneve komunale, raporton Ekonomia Online.

Rene Schlee, drejtor i zyrës së FES për Kosovë, tha se këto të dhëna janë alarmante dhe se komunikimi i qytetarëve me institucionet komunal ka shënuar rënie.

“Modeli i qeverisjes bazohet në aftësinë e qytetarëve që të bëjnë me dije shqetësimet e tyre. E shohim se kënaqshmëria e qytetarëve me komunikimin me institucionet ka rënë”.

“Dhe e dyta është se 51 për qind e qytetarëve s’kanë marrë pjesë në dëgjime publike. Ata s’janë të angazhuar të punojnë me shtetin”, theksoi Schlee.

Valza Zogiani, nga D4D-ja, ka prezantuar të gjeturat e raportit, duke bërë dhe krahasime me të dhënat e vitit të kaluar.

Ajo ka sqaruar se ka rënie të kënaqshmërisë së qytetarëve lidhur me komunikimin me komunën; vetëm 20% e tyre janë të kënaqur me shërbimet që marrin.

Kurse sa i përket informimit të qytetarëve për punën e komunave ajo thotë se kjo çështje nuk ka ndryshuar, raporton EO.

“Të dhënat e këtij raporti janë krahasuar me të dhënat e një viti më parë që të shohim trendin e ndryshimeve, qoftë negative ose pozitive, lidhur me perceptimet e qytetarëve për punën e komunave. Kemi parë ulje të kënaqshmërisë së qytetarëve lidhur me komunikim me komunë. 20 për qind e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me shërbimet që kanë marrë”, tha Zogiani.

“52 për qind e qytetarëve nuk kanë komunikuar e s’kanë kontaktuar komunat e tyre. Ndërsa, ka pasur përmirësim në qasje të qytetarëve ne dokumentet publike. Shqetësues mbetet buxhetimi sipas kërkesës së qytetarëve, i cili po çalon. Sa i përket informimit të qytetarëve për punën e komunave s’ka pasur ndryshim: ata vazhdojnë të jenë të informuar jo mirë për këtë aspekt”.

Bekim Salihu, nga GAP, tha se komunat nuk kanë bërë asgjë që t’iu përshtaten rrethanave në situatën e pandemisë. Sipas tij, qytetarët nuk janë informuar me punën dhe investimet që bëhen në komunën e tyre.

“I përcolla me shqetësim të gjeturat e hulumtimit që tregonin një keqësim të gjendjes sa i përket politikëbërjes dhe informimit të qytetarëve. Komunat nuk kanë bërë diçka shtesë që komunikimet publike t’iu përshtaten rrethanave në këtë situatë pandemie. Vetëm dy komuna kanë shfrytëzuar platformën ‘zoom’ për komunikim me qytetarët”.

“Nga të gjeturat e kaluara të GAP, qytetarët nuk kanë qenë të përfshirë në politikëbërje. Kemi një mungesë të seriozitetit për t’u marrë me kërkesat e qytetarëve dhe i ka shtyrë ata që të besojnë së prezenca e tyre në takime publike të jetë e panevojshme” , tha Salihu

“Qytetarët nuk e dinë se çka po punohet ne komunën e tyre, çka po investohet. Ka defekte e mangësi çështja e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Nuk jemi në pikën zero, por s’jemi aty ku duhet të ishim”.

Visar Rushiti, nga Demokraci Plus, tha se komunave u duhet planifikim i mirëfilltë financiar.

“Komunat duhet të bëjnë planifikim për financim, për të siguruar një lloj qëndrueshmërie buxhetore, jo të bëhen financime në baza ad-hock”, shtoi ajo.

Të ngjashme