6 mijë e 639 raste aktive me Covid-19, IKShPK del me apel

Prishtinë | 22 Shk 2021 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme janë raportuar 398 raste pozitive me COVID-19 në vend.

IKSHPK thotë se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga virusi vazhdon të jetë i lartë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës së masave.

Numri total i rasteve pozitive në vend është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 kurse numri i rasteve aktive është 6.639.

Si pasojë e sëmundjes COVID-19, deri më tani në vend kanë vdekur 1572 persona. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 228 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste,

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

“Rekomandojmë edhe një herë: Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme; Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike; Ndalimi rigoroz i tubimeve; Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike; Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërpresin rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, përfundon thirrja e IKSHPK-së.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme