6 muaj pas asfaltimit mbushet me gropa rruga prej 280 mijë eurosh në Kolovicë

Prishtinë | 10 Pri 2021 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Ka vetëm gjashtë muaj që është shtruar, por gropat dhe plasaritjet në këtë periudhë të shkurtë, sipas banorëve, tregojnë për cilësinë e dobët të asfaltit.

Rruga “Shklezen Haradinaj” në Kolovicë ka kushtuar mbi 280 mijë euro.

Përveç cilësisë, banorët thonë se po ankohen edhe për mos-shtrirje të duhur të rrjetit të kanalizimit e trotuare të larta.

“Ma mirë mos e ndreqni hiç se çka i keni bërë. Nuk e di se çka. Në vend që të ndreqet. E di unë që kanë kerre se si të bëhen dy javë duhet me i dërgu me i rregullu veturat. Më shtrenjtë po dalin këto se krejt idarja e shtëpisë. Krejt dyjenë e kam ecë por këso budallakia nuk kam parë prej që kam ardhur këtu”, ka thënë Xhafer Mustafa, banor.

Bajram Krasniqi, banor tjetër, e quan dështim të komunës.

“Që gjashtë muaj është rregulluar dhe po e shihni edhe vet. 4-5 herë në ditë vetëm unë. Ky është komplet dështim i komunës. Keq menaxhim i kryetarit të komunës i cili nuk di të punojë, që nuk ka njerëz. Dy kilometra i ka nga parlamenti-komuna, me ndodh këto është turp”.

“Kanalizimat na i kanë këputur krejt, nuk kemi më. Për gjashtë muaj ka ardhur në gjendje më të keqe se që ka qenë. Së pari edhe hyrjet nëpër shtëpi nuk mund të hyjmë. Tash duhet vet me i bë disa stama për me hy nëpër shtëpia”, tha banori Ramadan Maqedonci.

Komuna e Prishtinës thotë se ka urdhëruar Operatorin Ekonomik që urgjentisht të sanoj rrugën, vetëm në vendet ku është deformuar.

“Ju njoftojmë se për rrugën Shkelzen Haradinaj, Operatori Ekonomik është urdhëruar urgjentisht që të bëjë sanimin e rrugës, në vendet ku është deformuar, sepse të njëjtin, e obligon kontrata-afati garantues për punët e realizuara”.

KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe kompaninë fituese “NOTI CONSTUCTION” mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.

E njëjta kompani nga Komuna e Prishtinës ka përfituar gjithsej 9 tenderë.

Të ngjashme