60 fëmijë të strehuar në SOS Fshatrat e Kosovës, 6 u ribashkuan me familjet e tyre

Prishtinë | 26 Tet 2019 | 07:54 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë aktualisht janë duke marrë shërbime 60 fëmijë, 6 prej tyre foshnje dhe pjesa tjetër fëmijë të grup moshave nga tri deri në moshën 20 vjeçare.

Ndërkaq, vetëm këtë vit janë shënuar mbi 6 raste të bashkimeve familjare.

Udhëheqës i kujdesit alternativ në kuadër të SOS Fshatrave të fëmijëve të Kosovës, Besnik Peci, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se prioritet e kanë fuqizimin e lidhjeve familjare biologjike në ato raste ku ka mundësi.

“Gjatë vitit 2018 i kemi pasur 9 ribashkime familjare, do të thotë edhe gjatë këtij viti i kemi mbi 6 ribashkime familajre gjatë vitit 2019. Ne kemi parim që me i fuqizu lidhjet me familjen biologjike aty ku ka mundësi dhe është e mundur. Diku ka mundësi me u fuqizu kjo lidhje, por ka raste të tjera ku nuk ka asnjë lidhje me familjet biologjike dhe pastaj duhet me punu me ndërtimin e dinjitetit dhe të integritetit të të riut që ai thjesht me vazhdu me kriju familjen e vet në të ardhmen”, u shpreh ai.

Peci tha se fëmijët jetojnë në Sos Fshat derisa ata të përgatiten dhe të bëhen pjesë e programit të gjysmë pavarësimit.

“Organizata jonë është organizata e vetme që e ka programin e mbështetjes së të rinjëve edhe pas moshës 18 vjecare, ku ne sigurohemi që të rinjëve tanë mos t’ju mungojnë kushtet edhe mbështetja adekuate që ata me u zhvillua me një edukim të mirëfilltë më tutje dhe  me një kapacitet me një mundësi për me u punësua dhe zhvillua aftësitë e veta për punën”, tha më tej Peci.

Sipas Pecit, SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, përveç strehimit që nënkupton pjesën e ushqimit, pjesën e kujdesit  mjeksor, psikologjik edhe social të cilin fëmijët e marrin prej stafit psiko-pedagogjik prej pediatrit, SOS-it dhe prej shërbimeve të komunitetit, SOS Fshatrat ofrojnë programe të caktuara me aktivitete të larmishme karshi nevojave të fëmijëve.

“Aktualisht i kemi 9 SOS familje dhe një shtëpi të rinisë që së bashku me programin  e gjysmë pavarësimit janë 10 grupe, faktikisht 10 kategori. I kemi 9 SOS nëna të cilat ofrojnë direkt shëribm për fëmijët tanë dhe i kemi katër SOS teze të cilat i mbështesin këto sos nëna në aktivitetet e tyre ditore dhe edukatoret tek bebet që ofrojnë përkujdes dhe trajtim të veçantë”, tha Peci për Ekonomia Online.

Peci tregon se në bazë të matjeve që kanë bërë, niveli i socializimit te fëmijët e SOS Fshatrave si dhe pranueshmëria nga ana e komunitetit për këta fëmijë është shumë e lartë.

 Sipas tij, edhe fëmijët janë shumë rehat në ambientin dhe atë çfarë ofrojnë SOS Fshatrat.

Peci theksoi se që nga viti 2001 e deri më sot kujdes alternativ kanë marrë 500 fëmijë  të cilët më pas kanë kaluar nëpër faza të adaptimit, strehimit apo ribashkimit familjar. Ndërsa në kuadër të kujdesit afatgjatë në SOS Familjet që janë ndërtuar për fëmijët pa përkujdesje prindërore sipas tij janë afërsisht 100 fëmijë të cilët kanë marrë përkujdes intenziv.

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve është aktive në gjithë territorin e Kosovës që nga viti 1999, e cila vepron në ndihmë të fëmijëve që kanë humbë kujdesin prindëror ose janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror.

SOS Fshatrat e Fëmijëve gjithashtu përkrahin fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre për tejkalimin e sfidave që mund të ballafaqohen në jetë.

Të ngjashme