79 vjeçari që kujdeset për sheshin në Prishtinë, thotë se e bën në shenjë falënderimi ndaj Nënë Terezës

Prishtinë | 18 Sht 2021 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse në moshë të shtyrë, Faik Sefa, 79 vjeç, bën punë vullnetare. Ai disa herë në ditë e pastron sheshin që është pikërisht në emrin e Nënës Terezë në kryeqytet, e kjo për shkak të mirënjohjes që e ndjenë për të.

Ai thotë se këtë e bënë në shenjë falënderimi për gjithë ato të mira që i ka bërë Nëna Tereza për popullin shqiptarë.

“Rregullisht e fshij, i rri gati me lule, me të gjitha, askush me zor nuk më shtin vetë me vullnetin tem dua t’i shërbej dhe do t’i shërbejë deri në frymën e fundit sepse kjo bashkë me Ibrahim Rugovën iu ka gjend popullit shqiptarë”, tha ai për Telegrafin.

Sefa po ashtu thotë se përpos kësaj presidenti Rugova me bashkëpunëtor i ka ndihmuar edhe atij.

“Më ka ndihmuar edhe mua, në vitin 97 kur kam qenë sëmurë, mi ka gjetur ilaçet, Agim Demolli e ka pasur në Kodër të Trimave barnatoren edhe mi ka dhënë ilaçet pa pare tri vjet i kam marrë, e veç për hatër të zotit e bëjë këtë punë”, shtoi Sefa.

E ndjenja për të bërë mirë nuk i ka ardhë tash, ai tregon që kjo nuk është puna e parë që e bënë pa u paguar por vetëm sipas dëshirës dhe vullnetit të tij.

“Nuk e bëjë vetëm këtë unë jam interesuar edhe për punë tjera e kam pastruar Fakultetin Teknik pesë vjet rregullisht pa asnjë pagesë, më kanë dërguar dhurata prej Amerike e prej çdo vendi”, pohoi 79 vjeçari

Por puna vullnetare e Faik Sefës në një formë ose tjetrën është shpërblyer edhe nëse jo me të holla.

“Më kanë pyetur se sa dëshiron më të pagu, iu kam thënë asgjë sepse nuk kam nevojë, edhe fakulteti ma ka lëshuar një mirënjohje sepse qëllimi im është vetëm me bë mirë”, shtoi tutje ai.

Sefa po ashtu thotë se ka problem me qytetarët që kalojnë në shesh sepse janë shumë të pakujdesshëm ndaj ambientit aty.

“Shikoje Nënën Terezë, vjen gruaja këtu me katër pesë fëmijë i lenë këtu edhe shkon në punët e saja ata marrin gurë dhe e gjuajnë statujën e Nënës Terezës… unë nuk i la e nëna e tyre vjen më thotë se nuk ka çka të intereson ty”, përfundoi Sefa.

Të ngjashme