86 milionë € për ujërat e zeza në Prishtinë, Obiliq e Fushë-Kosovë

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 16:29 | Nga

Në mjediset e Qeverisë së Kosovës sot u mbajt takimi i parë i Komitetit Drejtues i projektit për trajtimin e ujerave të zeza për komunat Prishtinë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë.

Projekti që kap shumën prej 86 milionë euro do të realizohet në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Thesarit Francez.

Komiteti Drejtues ishte në përbërje: Ferat Shala, ministër i MMPH-së; Avdullah Hoti, ministër i Financave; ambasadorit francez në Prishtinë, Didier Chabert; Jean-Marie Demange, udhëheqës i Zyrës Regjionale të Thesarit Francez. Po ashtu, në takim në cilësinë e vëzhguesve morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha; nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Nysret Kelmendi; kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu; si dhe zyrtarë tjerë të delegacionit të Republikës së Francës dhe Republikës së Kosovës.

Vlera e këtij projekti do të jetë 86 milion euro. 66 milionë euro do të huazohen nga Thesari regjional Francez, ndërsa pjesa tjetër përkatësisht 20 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, bën të ditur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Ky projekt për Prishtinën, Obiliqin dhe Fushë-Kosovën është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunave respektive dhe përgjithësisht ambientin në nivel të Kosovës, thekson MMPH.

Krahas avancimit të rrjetit ekzistues të ujërave të zeza, do të ndërtohet edhe një fabrikë bashkëkohore për trajtimin e këtyre ujërave, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe pastaj uji i trajtuar do të zbrazet në lumenj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme