A pranohet agjërimi nëse s’mund të falet Bajrami, flet Xhabir Hamiti

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Secili besimtar e kupton rrezikun e virusit prandaj janë marrë edhe vendimet për të mos e falur Fitër Bajramin nëpër xhami. Prandaj, një qytetar besimtar, gjatë ditës së Bajramit duhet të ndihet i qetë, i gëzueshëm për plotësimin dhe përfundimin e agjërimit.

Bashkësitë fetare pa dallim në Kosovë po përballet me zbrazëtira ligjore. Kaluan dy vite dhe nuk pat asnjë lëvizje në drejtim të ndërtimit të xhamisë në Prishtinë. I ka humbur serioziteti këtij projekti. Pjesëmarrja e kosovarëve në luftërat e Sirisë dhe Irakut ka dëmtuar edhe Kosovën.

Express: Për herë të parë në këto dy dekada, besimtarët myslimanë po e kremtojnë Fiter Bajramin duke mos pasur mundësi të falen nëpër xhami shkaku i pandemisë. Pati edhe disa pakënaqësi, dikush u fal edhe në shesh. Në fakt, si do të duhej të sillet besimtari në këtë kohë pandemie, përkatësisht në Ditën e Bajramit?

Xhabir Hamiti: Nuk janë vetëm besimtarët e Kosovës ata të cilët këtë vit nuk do të mund ta falin (nëse nuk e falin) namazin e tyre të Bajramit në vende publike dhe në mënyrë kolektive, sepse edhe shumë vende të tjera të botës kanë marrë një vendim të tillë, përfshirë edhe qendrat dhe autoritetet më të larta fetare në botë. Një besimtar me arsyen e tij të shëndoshë e kupton se kjo ka ndodhur dhe po ndodh për shkak të një gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila është vlerësuar si e tillë nga ekspertët profesionalë të shëndetësisë, të cilët thonë se tubimi i një numri të madh brenda një hapësire të kufizuar ende mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, dhe kjo jo për qejfin e tyre, por për shkak të prezencës së mëtutjeshme aktive të virusit vdekjeprurës, i cili po besohet se ende nuk është zhdukur përfundimisht nga mesi ynë e as nga pjesët tjera të botës.

Prandaj, një qytetar besimtar gjatë ditës së Bajramit duhet të ndihet i qetë, i gëzueshëm për plotësimin dhe përfundimin e agjërimit, i hareshëm me familjen e tij të ngushtë dhe të gjerë, të drekojë shijshëm me ushqimin dhe ëmbëlsirat e Bajramit, t’ua urojë edhe të tjerëve festën e Bajramit, duke e lutur Zotin njëkohësisht që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të gjithë t’i kthehemi përditshmërisë normale në të gjitha fushat e jetës dhe jo vetëm në atë fetare. Mosfalja e Bajramit në kushte të jashtëzakonshme, sipas të gjitha mësimeve fetare, në asnjë mënyrë nuk nënkupton edhe mospranimin e agjërimit të muajit të Ramazanit.

Të ngjashme