A u takua Nasim Haradinaj me delegacionin kosovar në Hagë, tregon Klinaku

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se as Nasim Haradinaj nuk e ka takuar delegacionin kosovar në Hagë.

“Jo vetëm Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por nuk i ka taku as Nasim Haradinaj. Për këtë gjë më ka tregu Nasimi dhe ka thënë se qëllimi i mos takimit të tyre me Ministrinë e Drejtësisë ka qenë sepse ata nuk janë familjarët e tyre dhe ata nuk kanë kërkuar vizitë zyrtare”, tha ai në ATV.

Kujtojmë që Thaçi i cili gjendet në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë ka treguar arsyet pse refuzoi të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.

Thaçi ka thënë se kjo vizitë u bë në kulmin e fushatës zgjedhore.

”Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë.

Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, i ka thënë Thaçi gazetarëve shqiptarë Mero Baze e Filip Çakuli gjatë një vizite që i kanë bërë atij në dhomat e paraburgimit në Hagë, në njëvjetorin e qëndrimit të tij aty.

Të ngjashme