AAC-ja reagon pas krijimit të Shoqatës Sindikale të Punëtorëve

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka reaguar pas krijimit të Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të AAC-së, duke thënë se kjo shoqatë sindikale nuk përfaqëson shumicën e nëpunësve të AAC-së, pasi që AAC-ja ka gjithsej 28 shërbyes civilë.

Reagimi i plotë i AAC-së, i nënshkruar nga Safete Selmani, udhëheqëse e Njësisë së Burimeve Njerëzore, drejtuar një numër institucioneve:

Të nderuar/a përfaqësues të institucioneve,

Javë më parë, keni pranuar një shkresë nga një grup i punëtorëve të AAC-së, të cilët kanë krijuar Shoqatë Sindikale të punëtorëve të AAC-së, e cila është e përberë vetëm nga katër (4) Drejtorë të Departamenteve dhe shtatë (7) vartësve të tyre. Kjo shoqatë sindikale nuk përfaqëson shumicën e nëpunësve të AAC-së, pasi që AAC ka gjithsej 28 shërbyes civil.

Ky grup i vogël, gjatë themelimit nuk kanë pranuar që punonjësit tjerë të AAC-së të jenë  pjesë e këtij organizimi sindikal, përkundër kërkesave dhe marrëveshjeve në takime. Ky fakt pasqyrohet në korrespodencën përmes e-mailave, të cilën po ju dërgoj të bashkëlidhur. Mos përfshirja e shumicës së punonjësve tjerë të AAC-së, ka qenë e qëllimshme dhe me këtë është vërtetuar se themelimi i kësaj sindikate nuk ka qenë mbrojtja e interesave të të gjithë punëtorëve siç edhe kanë për qëllim sindikatat, por mbrojtja e disa drejtorëve dhe disa vartësve të tyre.

Ditë më parë nga kjo sindikate është  larguar një nga drejtoret e departamentit për shkak të pakënaqësisë së krijuar, sepse i kishin përdoruar sëmundjen e tij personale për qëllime të sindikatës, fakt qe dëshmon veprimet e kundërligjshme.

Përmes veprimeve të tyre, shoqata sindikale ka dezinformuar institucionet dhe disa media me njoftime (letra zyrtare, shkrime në rrjete sociale, facebook etj.) duke aluduar në shkrimet e tyre se të gjithë zyrtarëve të AAC-së po iu shkelen të drejtat e punëtorëve brenda institucionit. E vërteta qëndron ndryshe, sepse pikërisht disa nga Drejtorët e Departamenteve, anëtarë të kësaj shoqate, në mënyrë të vazhdueshme kanë shkelur të drejtat e vartësve të tyre, duke i ndëshkuar me vlerësime jo të drejta të performances, mos ngritje në detyrë, me vërejtje e kërcënime me komisione disiplinore, duke krijuar frikë te vartësit e tyre, për të arritur pastaj më lehtë qëllimet e tyre.

Pretendimet e Shoqatës Sindikale se Rregullorja për Organizimin, Funksionimin e Brendshëm dhe Sistemimin e vendeve të punës të AAC-së e vitit 2011, të cilën e cilësojnë të suksesshme dhe funksionale janë të pasakta. Rregullorja e vitit 2011 është ndryshuar shtatë (7) herë brenda dyerve të mbyllura, duke mos i përfillur procedurat ligjore dhe duke mos përfshirë dhe informuar  punonjësit tjerë të AAC-së për ndryshimin e Rregullores së Brendshme. Rregullorja e vitit 2011 i kishte mundësuar dikujt statusin, mbikëqyrje dhe pozitën e Drejtorit të Departamentit, edhe pse ai nuk kishte asnjë vartës, vetëm e vetëm që ky person të mbajë pozitën e tillë. Përzgjedhja e Drejtorëve të disa Departamenteve të AAC-së, ishte kryer duke mos kërkuar Diplomë Universiteti, por vetëm përvojë pune, krejt kjo për të akomoduar profilin e disa Drejtorëve të Departamenteve të cilët në kohën e emërimit si Drejtor në vitin 2011 nuk i kishin të përfunduara studimet universitare (bachelor). Si përmbledhje, në AAC pozitat udhëheqëse të Drejtorit të Departamentit në vazhdimësi i kanë ushtruar vetëm me shkollim të mesëm të përfunduar, pra në kundërshtim me kriteret e përcaktuara me aktet ligjore në fuqi.

Rregullorja e vitit 2011 për Organizimin, Funksionimin e Brendshëm dhe Sistemimin e vendeve të punës brenda AAC-së ishte mbështetur në Ligjin nr. 03/L-149, i cili ligj tani që një vit është shfuqizuar. Kjo Rregullore e viti 2011 është shfuqizuar me shfuqizimin e Ligjit nr. 03/L-149 dhe se kërkohet të nxirret rregullore e re në pajtim me Ligjin nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura.

Me datë 09 korrik 2019, konform Ligjit nr. 06/L-113, AAC-ja ka nxjerrë Rregulloren e Brendshme, brenda afateve kohore. Pas shkarkimit të ish Drejtorit të Përgjithshëm si dhe me emërimin e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm, brenda pesë (5) ditëve pas emërimit, ish u.d. Drejtor i Përgjithshëm ka shfuqizuar kundërligjshëm Rregulloren e Brendshme të datës 09 korrik 2019 duke e kthyer Rregulloren e vjetër të vitit 2011, vetëm për t’i mbrojtur Drejtorët e Departamenteve të cilët nga viti 2011 i kishin fituar pozitat pa Diplomë Universitare.

Lidhur me shkresat e shoqatës së sindikatës e cila përfaqëson vetëm disa  punëtorë të AAC-së, e cila vazhdimisht është duke njollosur punën, imazhin dhe duke krijuar pakënaqësi te kolegët tjerë, që nuk janë pjesë e sindikatës, të cilët po ashtu kanë reaguar përmes informimit me shkrim drejtuar Bordit Mbikëqyrës të AAC-së dhe menaxhmentit të lartë. Kjo situatë e krijuar vërteton se shoqata sindikale e ka përçarë AAC-në në grupe. Shoqata sindikale, po ashtu nëpërmes letrave dhe takimeve kanë tentuar të përfshihen në secilin komision, proces dhe vendimmarrje duke aluduar se janë duke u lënë jashtë proceseve vendimmarrëse. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ka Departamente me më shumë punëtorë të cilët nuk janë përfshirë në grupin punues për ndryshimin e Rregullores së Brendshme. Të gjithë punëtorëve të AAC-së iu është dhënë mundësia e dërgimit të propozimeve të tyre për hartimin e Rregullores së re, mirëpo disa anëtarë të sindikatës nuk kanë dhënë ndonjë propozim edhe pas disa përpjekjeve të iniciuara nga grupi punues për të marrë propozimet e të gjithëve.

Shoqata sindikale në disa takime ka sugjeruar se AAC-ja nuk ka nevojë për punëtorë të ri, kurse vite me radhë të gjithë Drejtorët e Departamenteve, në vazhdimësi kanë kërkuar punëtorë për të arritur objektivat e punës. Keni parasysh se për aftësimin e një profesionisti të aviacionit civil, përveç përmbushjes te kushtit themelor që para punësimit apo marrjes së detyrës, të posedojë diplomën e arsimit universitar (bachelor) në fushën përkatëse, nevojiten së paku dy (2) vite trajnime profesioniste dhe përvojë në punë sipas akteve ligjore në fuqi për nëpunësit civil.

Në shkrimet e tyre shoqata sindikale ka nënçmuar një pjesë të kolegëve me pretendimin se nuk janë profesional, gjë që është e kundërta në realitet. Keni parasysh se disa pilotë, inxhinier, juristë, ekonomist etj. me përvojë më shumë se 20 vite dhe përfundime master jashtë Republikës së Kosovës, nuk janë pjesë e kësaj shoqate sindikale. Këta kolegë janë ankuar se shoqata është duke i përfshirë pa dëshirën e tyre dhe është duke u thirrur në numrin total të 28 punonjësve te AAC-se.

Krijimin dhe ekzistencën e saj shoqata sindikale, deri tani e ka shfrytëzuar për mbrojtje në komisione disiplinore dhe propaganda të pasakta në rrjete sociale, media dhe në qarqe të caktuara për përfitime personale.         

Shqetësimi tjetër i imi si Udhëheqëse e Burimeve Njerëzore është insistimi i vazhdueshëm i anëtarëve të shoqatës sindikale për te dezinformuar dhe imponuar qëllimet e tyre ndaj vullnetit të punëtorëve tjerë të AAC-së, duke përdorur pozitat e Drejtorëve dhe privilegjeve të krijuara nga viti 2011. Po ashtu shqetësuese është fakti i mos respektimit të akteve ligjore për shërbyesit civil duke përdorur dhe shfrytëzuar anëtarë të partive politike për mbrojtje dhe qëllime personale. Me këto veprime, unë konsideroj se nga ana e kësaj shoqate janë duke u kryer shkelje të Kodit Etik të shërbyesve civil. Po ashtu, si shkelje tjetër konsideroj shpërndarjen e komunikimit zyrtar të brendshëm, në institucione tjera pa konfirmim paraprak të zyrtarit që ka qenë i përfshirë në atë komunikim.

Të nderuar, me mirëkuptim kërkoj të jeni vigjilent në besueshmërinë e këtyre shkresave të shoqatës sindikale, pasi që ato nuk përfaqësojnë vullnetin dhe as qëndrimin e shumicës së stafit të AAC-së.          

Ju falënderoj për kohën e Juaj dhe shpresoj që në të ardhmen do të vlerësoni me kujdes  besueshmërinë e shkresave të dërguara nga shoqata sindikale e AAC-së, pa marrë parasysh se nga cili individ, shoqatë, punonjës tjetër nga AAC-ja, mik apo familjar ju interpretohen. 

Drejtuar:

Ø Z. Agim Veliu, Ministër – Ministria e Punëve të Brendshme

Ø Znj. Hykmete Bajrami, Ministre – Ministrisë së Financave

Ø Z. Arban Abrashi, Ministër- Ministrisë së Infrastrukturës

Ø Z. Skender Reçica, Ministër-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Ø Z. Besnik Osmani, Drejtor i Përgjithshëm- Zyra Kombëtare e Auditimit

Ø Z. Ismet Krasniqi, Sekretar i përgjithshëm- Kuvendi i Republikës së Kosovës

Ø Z. Naim Qelaj, Avokatit të Popullit

Ø Z. Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Ø Z. Behxhet Shala, Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë

Ø Z. Eshref Shabani, Kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Ø Mediave

Ø Z. Mursel Zymberi, Kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Republikës së Kosovës,

Ø Bordi Mbikëqyrës i AAC-së

Ø Anëtarët e Komisionit te Parlamentit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme