Abdixhiku: Metoda e karantinimit po funksionon

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 21:43 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se karantinimi ka ndihmuar që koronavirusi të mos shpërthejë në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se nga 500 qytetarë sa kanë qenë të karantinuar, 200 prej tyre janë liruar në shtëpi pasi kanë rezultuar negativ.

POSTIMI I PLOTË:

Kushtet në Karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, ditët e para mund të kishin qenë edhe të vështira – mësuam në vështirësi – por karantinimi po funksionon.

Mbi 500 qytetarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht.

Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontrollë edhe kthim në shtëpi.

Për këtë duhet falenderuar të gjithë. Qytetarët që me durim qëndrojnë aty; por mbi të gjitha shërbyesit e qendrës, të shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim.

Të ngjashme