“Activate Talks” mbledh 150 të rinj në Prishtinë

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 18:59 | Nga Kaltrina Zymberi

UNICEF Innovations Lab Kosovo organizoi sonte ngjarjen vjetore “Activate Talks”, me ç’rast u prezantuan rreth 25 projekte inovative me ndikim konkret në shoqëri, të projektuara dhe implementuara nga të rinj të Kosovës.

Në ngjarjen, që është mbajtur në Fakultetin e Edukimit në UP, merrnin pjesë rreth 150 të rinj nga e tërë Kosova dhe donatorët kryesorë nga Belgjika, Turqia, Gjermania e Holanda, si dhe zyrtarë të lartë të UNICEF-it nga Gjeneva dhe New Yorku.

Hana Sahatqija, nga UNICEF Innovations Lab Kosovo, ka falënderuar bashkëpunëtorët strategjikë që e mbështesin këtë projekt. “Viti 2017 uroj të jetë edhe më bashkëpunues dhe me projekte të shumta. Të rinjtë dhe adoleshentët e Kosovës janë arsyeja që Innovation LAB ekziston”, tha Sahatqija.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishte dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Arban Abrashi, i cili tha se praktikat e ndërmarrjeve sociale janë ato që kanë treguar dhe kanë pasur suksese në shumë vende.

Sipas tij, këto praktika kanë nxitur institucionet në Kosovë të bëjnë një hap përpara për të miratuar Ligjin për Ndërmarrje Sociale.

“Praktikat e ndërmarrjeve sociale kanë treguar që kanë pasur sukses… Kosova ka shumë nevojë për projekte të cilat reflektojnë edhe në shoqërinë kosovare”, ka thënë Abrashi, ndërsa tregoi se projekti do të mbështetet, në 2017-ën, dhe nga ministria që ai drejton.

Ndërsa, James Mugaju, zëvendësshef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, kishte disa mesazhe inkurajuese për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Ai tha se suksesi nuk arrihet brenda natës. Sipas tij, për sukses nevojiten përgatitje dhe një ndër to është dhe arsimimi i duhur.

“Personat më të lumtur janë ata që nxjerrin më të mirën nga jeta e tyre”, tha Mugaju, i cili i porositi të rinjtë se duhet të lëvizni nga “zona ku ndihen komfor”, dhe të përfshihen në diskutime e vendimmarrje.

“Activate Talks është një mundësi që të reflektojmë mbi përparimin që kemi arritur së bashku dhe kjo është gjithashtu një moment për të reflektuar mbi rolin e të rinjve në transformimin e shoqërisë”, tha ai.

Të rinjve kosovarë iu drejtua dhe Leon Wijnands, drejtor i institucionit global financiar ING Bank. Wijnands, i cili tha se “ditën është një bankier ‘i mërzitshëm’, kurse natën një ‘yll rockenrolli'” i porositi ata që të mos dorëzohen dhe të jetojnë ëndrrat e tyre.

“Nëse doni të arrini diçka, çdo gjë është e mundshme. Edhe nëse ju duhet ta mësoni vetveten, është e mundshme. Rrethohuni veten me miq dhe njerëz të mirë… Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, jetoni ëndrrat tuaja”.

Pas fjalimeve, mysafirët kishin mundësinë të takohen dhe diskutojnë me udhëheqës të rinj dhe të zbulojnë vizionin dhe punën e tyre brenda komuniteteve të tyre.

Sipas statistikave, populli kosovar është një nga më të rinjtë në Evropë me afërsisht 53% nën moshën 25 vjet dhe 19% ndërmjet 15 dhe 24 vjet. Por, 29% të të rinjve të moshës 15 deri 24 nuk janë të punësuar apo në shkollë. Gjithashtu, 64% të rinisë në Kosovë ndjehen se kanë “pak” ose “aspak” përfaqësim në vendim-marrje lidhur me çështjet që janë të rëndësishme për ata apo që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e tyre. Në mesin e të rinjve mbizotëron një ndjenjë e fuqishme e paaftësisë dhe parëndësisë e në veçanti tek të rinjtë që janë pjesë e grupeve të margjinalizuara duke përfshirë të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Për të trajtuar këto shifra shqetësuese, Innovations Lab, që është një njësi e UNICEF-it në Kosovë, kërkon të fuqizojë adoleshentët dhe rininë për të avancuar shfrytëzimin e teknologjisë dhe për të hulumtuar se si të arrihet ndikimi përmes komunikimit me një gjeneratë të re të bartësve të drejtave.

Të ngjashme