Administrata Publike i nxjerr pikë pozitive Kosovës në raportin e Komisionit Europian për 2019

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Në raportin për Kosovën (ish-raportet e progresit) nga Komisioni Evropian ndër fushat e pakta ku njihet progres është administrata publike.

Raporti në mënyrë specifike njeh rolin pozitiv të Ministrit të Administratës Publike, ka thënë Mahir Yagcilar, duke shkruar se ”derisa reforma e administratës publike ka pasur mbështetje politike dhe vazhdimësia e ofruar nga Ministri për Administratë Publike ka qenë vendimtare, proceset paralele politike kanë dëmtuar disa nga përpjekjet për reforma”,.

Administrata Publike dallon si sektor që ka arritur progres të mirë, duke i referuar miratimit të paketës së ligjeve për reformimin e funksionimit dhe organizimit të administratës publike.

Ligjet e reja do të transformojnë procesin e rekrutimit në shërbimin civil duke përforcuar etikën, profesionalizmin, transparencën dhe luftën kundër nepotizmit. Raporti gjithashtu vë në dukje arritje të tjera, të tilla si fillimi i zbatimit të planit të veprimit për racionalizimin e agjencive.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar deklaroi se përshëndet dhe mirëpret gjetjet e raportit për Kosovën të Komisionit Evropian, i cili sipas Ministrit, e njeh progresin por thekson gjithashtu sfidat e rëndësishme që duhet të adresohen.

Tutje, Ministri Yagcilar pohoi se së bashku me përkrahjen e BE-së ka arritje shumë të rëndësishme në kohët e fundit duke përfshirë fillimin e zbatimit të mbështetjes direkte të buxhetit nga Komisioni Europian për reformat në administratën publike, miratimin e legjislacionit për pagat, zyrtarët publik dhe administratën shtetërore, fillimin e racionalizimit të agjencive etj.

Sipas Ministrit Yagcilar raportet e Komisionit Europian janë një mjet i rëndësishëm sepse shërbejnë si një orientim për sfidat dhe për rrugën përpara, njofton Klan Kosova.

Të ngjashme