Adri Nurellari: Gafa e pranimit të ekzistencës së arkivave sekretë të UÇK-së nga qeveritarët e Vetëvendosjes, është një autogol që e dëmton rëndë Kosovën

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Gafa e pranimit të ekzistencës së arkivave sekretë të UÇK-së nga qeveritarët e Vetëvendosjes, është një autogol që e dëmton rëndë Kosovën dhe të bën të ngresh pikëpyetjene se në cilin ekip luajnë këta lojtarë të qeverisë së Vetëvendosjes.

Kjo qeveri jo vetëm që nuk ka organizuar asnje aksion (e lëre më të shënojë gol në fushën serbe), por ngeli duke bërë autogola në portën e Kosovës. Duke folur për arkiva të UÇK-së faktkisht Qeveria e Kosovës ka aprovuar dhe legjitimuar mashtrimet e Serbisë e cila përpiqet që të manipulojë opinionin ndërkombëtar nëpërmjet pretendimit të ekzistencës së arkivave sekret të UÇK-së.

Kjo çështje gjithashtu përkeqëson pozicionin negociator të Kosovës në dialog sepse kur të kërkojmë nga Serbia që të zbulojë informacionet që mban sekret për varret masive të shqiptarëve, Beogradi do kërkojë në këmbim hapjen e arkivave imagjinarë të UÇK -së duke u barazuar me ne. Ky pozicion i qeveritarëve kosovarë dëmton edhe mbrojtjen e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë sepse i jep argumente prokurorisë për kinse ekzistencën e një arkivi që po mbahet i fshehur.Lufta kryengritëse e popullit shqiptar është një ndër më të televizionuarat e raportuarat në historinë bashkëkohore e ska arkiva të fshehur.

Populli shqiptar historikisht ka qenë paqedashës dhe u detyrua të futej në në luftë vetëm kur nuk pati mundësi të tjera zgjedhje dhe pasi të gjitha përpjekjet paqësore për të siguruar të drejtat themeltare u shtypën dhunshëm. Lufta ka qenë e drejtë, transparente, e ndershme dhe prandaj edhe fitoi zemrat e vendeve më demokratike të botës që na u bashkuan në kuadër të bombardimeve të NATO-s. Aq më tepër që në luftë UÇK-ja qe partnere e NATO-s dhe po ashtu ishin miqtë ndërkombëtarë perëndimorë që u kujdesën për demilitarizimin, demobilizimin dhe reintegrimin e luftëtarëve të lirisë. Pra edhe nuk ka pasur mundësi që të mbahet ndonjë gjë e fshehur prej partnerëve perëndimor.

Duhet shtuar se veprimtaria e luftëtarëve të UÇK-së është ndër më të hetuarat, analizuarat e gjykuarat ndonjëherë. Kanë kaluar dy dekada prej mbarimit të luftës, Kosova ende është duke u përballur me nivelin e pestë të drejtësisë, pasi janë kaluar tashmë gjykatat e UNMIK-ut, Tribunali për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in dhe gjykatat vendore. Pra janë bërë kaq shumë procese dhe kurrkund nuk është folur ndonjëherë për këto arkiva të fshehta.Për më tepër duhet theksuar se populli i Kosovës ka treguar shembullin më të mirë të bashkëpunimit të plotë e të hapur me drejtësinë duke ofruar të gjithë informacionin e nevojshëm, dhe është fyese që të përflitet për një arkiv të fshehtë. Ndryshe nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ku shumë prej të dyshuarve janë arratisur apo fshehur, të gjithë luftëtarët e UÇK-së që kanë pasur të bëjnë me drejtësinë ndërkombëtare apo vendase, janë ballafaquar me transparencë, fisnikëri, sinqeritet e krenari.

Me sa duket akti populist që bëri kryeministri, duke i dhënë si dëshmi librin e Nusret Pllanës palëve të dialogut, ka pasur efekt bumerang dhe ka bërë që Serbia ta shfrytëzojë për ta përdorur këtë libër si dëshmi për ekzistencën e arkivave të UçK-së meqënëse me sa duket aty u përmendka një gjë e tillë. Vartësit e Kurtit në vend që të pranojnë që ka gjenë gabim paraqitja e atyre librave, përpiqen të justifkojnë shefin e tyre duke pranuar ekzistencën e arkivave sekrete të UÇK-së duke dalë kështu kundër narrativës sonë shtetërore e duke konfirmuar atë serbe. Pas gabimeve të njëpasnjëshme sikurse lënia e misioneve tona kryesore diplomatike pa ambasadorë, keqpërdorimi i dialogut për fushatë elektorale duke dëmtuar raportet me partneret ndërkombëtar, tolerimi i ndërtimit të universitetit paralel etj. ky është autogoli i radhës. Nuk dua ta besoj që këto veprime e deklarata janë bërë për motive dashakeqe, por mendoj se me gjasa janë bërë prej paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë. Megjjthatë pasoja është e njëjtē, një tjetër autogol kundër Kosovës shkaktuar nga një ekip amatorësh që befas e gjejnë veten duke luajtur nē superligë.PëlqejKomentoNdaj

Të ngjashme