Afaristi Shkëlqim Devolli në Washington, takime në State Department dhe me ish-kryeministrin izraelit

Prishtinë | 13 Maj 2022 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Afaristi kosovar Shkëlqim Devolli është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon takime të ndryshme me përfaqësues të institucioneve shtetërore amerikane dhe personalitete ndërkombëtare me ndikim.

Aksionari i Devolli Corporation ka pasur gjatë ditës takime në Departamentin amerikan të Shtetit, ku është pritur nga Anne Morrison, zyrtare për çështje të Kosovës, dhe Robert Morgan, oficer për ekonominë rajonale në Zyrën e Marrëdhënieve të Evropës Jugore dhe Qendrore.

Devolli u ka treguar zyrtarëve amerikanë për gjendjen e ekonomisë kosovare në përgjithësi, si dhe sukseset e Devolli Corporation në veçanti, si korporata me eksportin më të madh nga Kosova në ShBA.

Gjithashtu, në takim në Departamentin e Shtetit është folur edhe për mundësitë e rritjes së punësimit në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë nevojë që të rinjtë ta lëshojnë vendin, si dhe për bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Të enjten, në Washington DC, Shkëlqim Devolli ka realizuar edhe një takim me ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak.

Aty është folur për lidhjet e veçanta historike të shqiptarëve me popullin hebre, si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.

Devolli e ka shfrytëzuar rastin që ish-kryeminitrit Barak t’i bëjë ftesë që ta vizitojë Kosovën.

Gjatë qëndrimit të afaristit Devolli në SHBA janë paraparë edhe disa takime të tjera të nivelit të lartë me politikanë dhe përfaqësues të bizneseve amerikane.

Të ngjashme