Agim Veliu kërkon që taksa 100% të hiqet menjëherë

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Nëse Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arrijnë një marrëveshje rreth heqjes së taksës 100 përqind dhe mos vendosjen e reciprocitetit në asnjë mënyrë, atëherë zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka konfirmuar ditë më parë se do të largohet nga Qeveria Kurti.

Përçarja për taksën mes koalicionit VV-LDK ka bërë që zyrtarët e dy partive të përplasen mes vete me qëndrime të kundërta, LDK është pro heqjes dhe ruajtjes së partneritetit me SHBA’të, kurse VV-ja të shtojë masën e reciprocitetit.

Ndaj kësaj ka reaguar edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëherësh Ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu ka dalë kundër propozimit të “shefit” të tij- kryeministrit Albin Kurtin për taksën 100 % ndaj mallrave serbe dhe se kjo taksë duhet të hiqet sa më parë.

“Ne si LDK e kemi dhënë qëndrimin tonë zyrtar. Pra, edhe unë jam që taksa të hiqet ashtu siç po e kërkojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë- në këtë rast amerikanët, që taksa të hiqet e tëra”, tha Veliu për Gazeta Blic.

Veliu ka porositur po ashtu Kurtin që marrëdhënie ma SHBA’të të ruhet dhe të dëgjohen kërkesat e tyre në lidhje me taksën dhe dialogun me Serbinë.

Po ashtu ai ka paralajmëruar se struktura dhe kryesia e LDK-së shumë shpejt do të mblidhet për marrjen e vendime të tjera në lidhje me taksën nëse ajo nuk hiqet.

Të ngjashme