Agjencia e Ushqimit mbylli gjashtë biznese për mosrespektim të masave

Prishtinë | 21 Pri 2021 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë inspektimin e bizneseve për të parë nëse po respektohen masat e reja kundër COVID-it, të cilat kanë hyrë në fuqi ditë më parë. Nga AUV-i thonë se bizneset që janë gjobitur më parë, nëse i shkelin sërish masat, do të mbyllen

Gjashtë biznese të sektorit të gastronomisë janë mbyllur që nga e hëna e deri tani për shkak të mosrespektimit të masave kundër COVID-19. Mbylljes i ka paraprirë monitorimi i tyre nga Policia e Kosovës dhe nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Lamir Thaçi nga AUV-i thotë se janë duke e vazhduar inspektimin, derisa tregojnë se vërehet një vetëdijesim nga qytetarët dhe bizneset kohët e fundit.

“Bazuar në vendimin e fundit që ka hyrë në fuqi dy ditë më parë, atëherë ne kemi realizuar rreth 700 inspektime. Dhe prej tyre kanë rezultuar që është dashur të shqiptohen rreth 30 gjoba për subjekte juridike, kryesisht lokale të gastronomisë” është shprehur ai.

Ai tutje u bënë thirrje bizneseve dhe qytetarëve që të respektojnë masat në mënyrë që të vazhdojnë punën pa ndonjë kufizim.
“Respektimi i masave në masë të përgjithshme është i mirë. Kryesisht institucionet kanë krijuar kushtet për parandalimin dhe luftimin e sëmundje COVID-19”, tha Thaçi.

Që nga 19 prilli, kur edhe u lehtësuan disa nga masat, bizneset, të cilat ishin për dy javë të mbyllura pjesërisht, tashmë lejohen të zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Megjithatë, të mërkurën nuk është vërejtur prani e madhe e qytetarëve në kafene. Pronarët e tyre prapa kamerës kanë thënë se për shkak të muajit të Ramazanit nuk kanë shumë punë as në mbrëmje.

Me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës mbi masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u është lejuar puna edhe fitneseve dhe është lejuar grumbullimi deri në 30 persona. Të ndaluara vazhdojnë të jenë dasmat dhe ceremonitë mortore.

Ndërkohë, është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve dhe personelit shëndetësor në Kosovë, derisa dozat e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” janë drejt fundit.

Deri tani në nivel vendi nga 24 mijë doza të vaksinës, sa janë në dispozicion, janë vaksinuar rreth 20 mijë persona. Niman Bardhi, koordinator i qendrës së vaksinimit “1 Tetori” tregon se fluksi më i madh për t’u vaksinuar ka qenë nga qytetarët. “Edhe sot në ditën e radhës kemi vazhduar me vaksinimin e personave në moshën mbi 75 të shoqëruar me sëmundje kronike, ku aktualisht deri në këto çaste që ne flasim prej datës 8 në total janë vaksinuar mbi 2930 persona, ku prej tyre të sëmurë kronikë kemi pasur mbi 1311, ndërsa personel shëndetësor 191, të moshuar por jo të shoqëruar me sëmundje kronike kemi 1261, dhe persona në dializë 54” shprehet ai.

Të ngjashme