Agjencia Kadastrale e Kosovë kontribuon në hartën gjeografike të Evropës

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Duke marrë parasysh peshën që ka një institucion gjithëpërfshirës i ekspertëve më me renome në botë në fushën e kadastrës dhe hartografisë, të qenit anëtar i plotfuqishëm në Eurogeographics sjell përfitime të mëdha për Republikën e Kosovës në përgjithësi dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës në veçanti, si në aspektin e ekspertizës po ashtu edhe në aspektin e identifikimit të fushave të interesit vendor, regjional dhe evropian ku bashkëpunimi do të sillte produkte kualitative kadastrale, hartografike dhe pronësore.

Për këtë arsye, pjesëmarrja e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Eurogeographics-it, e cila u mbajt në Pragë të Republikës Çeke gjatë kësaj jave, ishte e rëndësisë së madhe si për nga përcjellja e trendëve zhvillimore evropiane, po ashtu edhe për nga prezantimi i aktiviteteve të AKK-së në këtë forum ekspertësh.

Gjatë aktiviteteve të ndryshme, prezantimit të sfidave me të cilat ballafaqohet Evropa gjeografike, diskutim rreth vizionit evropian në fushën e ofrimit të të dhënave gjeohapësinore, delegacioni i AKK-së i prirë nga u.d Kryeshef Ekzekutiv Avni Ahmeti ofroi gatishmëri që të kontribuojë me të dhënat e saja gjeohapësinore për nevoja të këtij rrjeti pan Evropian. Po ashtu, në takime të ndara me ish kryetaren e Eurogeographics Ingrid Vanden Berghe dhe me Kryetarin e ri të Eurogeographics Colin Bray, Ahmeti diskutoi edhe mënyrën e bashkëpunimit të ndërsjellët mes institucioneve përkatëse, që do të rezultonte me projekte konkrete.

Fillimisht nga Ahmeti u kërkua informacion se me cilat të dhënat Republika e Kosovës do të mund të kontribuonte në hartën evropiane, dhe cilat janë të dhënat që AKK do të mund të shfrytëzonte prej Eurogeographicsit.

Ahmeti u zotua në hapjen e të dhënave autoritative Kadastrale dhe hartografike, shpërndarja e të cilave nuk bie ndesh me legjislacionin në fuqi, ndërsa nga Eurogeographics kërkoi mbështetje në harmonizimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore bazuar në standardet e BE-së dhe OKB-së. Po ashtu, kjo Asamble e Përgjithshme u shfrytëzua edhe për diskutim me përfaqësues të autoriteteve për kadastër dhe hartografi të shteteve evropiane si Irlanda, Norvegjia, Holanda, Suedia, Turqia, Bosnja e Hercegovina, Armenia, Sllovenia etj.

Vlen të theksohet se në asamblenë e sivjetme të Eurogeographics, e vlerësuar si më e madhja e mbajtur ndonjëherë, morën pjesë mbi 150 delegatë nga 46 shtete.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme