Agjencia për Akreditim pret që deri në qershor të kthehet në ENQA

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Deri në fund të muajit qershor, Agjencia e Kosovës për Akreditim do të plotësojë 90% të standardeve për kthim në ENQA.

Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë se në bazë të planit dinamik, punët e agjencisë do të përfundojnë deri në qershor, ndërsa pritet që Ligji për Agjencinë të miratohet së shpejti, pasi është një nga kriteret kryesore që duhet të plotësohet.

Agjencia e Kosovës për Akreditim, në tetor të vitit të kaluar ka përgatitur një plan dinamik, të cilin e ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, ku parashihen të gjithë hapat që do të ndërmerren për plotësimin e kritereve të ENQA-s.

Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka thënë për Radio Kosovën, se jo të gjitha punët për kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR, i takojnë Agjencisë së Akreditimit. Ai tha se sipas planit dinamik, punët e agjencisë përfundojnë deri në fund të qershorit.

“Punët tona të cilat na rekomandohen, sipas planit dinamik do të përfundojnë në fund të qershorit. Komponentë më e vështirë ka qenë analiza tematike, të cilën po e zbatojmë me VUS Kosovën. Kemi pasur edhe kritere të tjera, të cilat i kemi plotësuar në bashkëpunim me projektet që i financon ADA austriake.”

Në plotësimin e standardeve hyn edhe Ligji për Agjencinë e Akreditimit, tha Gashi, i cili shpreson që së shpejti ky ligj të procedohet e të miratohet, pasi është një nga rekomandimet kryesore të ENQA-s.

“Po janë disa kritere që nuk varen nga AKA. Janë pavarësia financiare dhe institucionale, të cilat do të duhej të bëhen përmes Ligjit. Kjo është kompetencë që i takon Ministrisë, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në Qeverinë e kaluar ne kemi përgatitur një draft të Ligjit. Ka qenë një grup punues prej 19 personave, ku dhe unë kam qenë njëri nga ata. Kemi përgatitur një draft që është në Ministrinë e Arsimit dhe tani i takon ministres që të vendosë për të proceduar tutje.”

Në draftin e këtij Ligji, parashihet që Agjencia e Akreditimit të ketë pavarësi institucionale dhe financiare, ashtu siç e kërkon ERA 2 dhe ENQA në sugjerimet që ia dërgon Agjencisë. Por, Gashi theksoi se për të aplikuar në ENQA, duhet të fillojë edhe zbatimi i ligjit.

“Përveç miratimit të Ligjit, ne para se të aplikojmë në ENQA, duhet edhe të fillojmë ta zbatojmë atë ligj. Ne duhet të vjelim rezultatet e tij dhe të shkojmë me aplikacion në ENQA me rezultate konkrete. Ne po presim dhe shpresojmë që ligji të jetë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë dhe Qeverisë.”

Një nga kriteret për të aplikuar për ri-anëtarësim në ENQA, është edhe vendosja e Agjencisë në një objekt të saj.

Për këtë, Gashi bëri të ditur se kanë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, ku Agjencia do të dislokohet në një objekt të ri modern në afërsi të Pallatit të Drejtësisë, që pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme