Agjencia për Menaxhim Emergjent apel qytetarëve të kenë kujdes me zjarret në ambiente të hapura

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Menaxhim Emergjent u ka bërë apel qytetarëve që të jenë më vigjilent dhe të shmangin shkaktarët e zjarreve, duke u bërë thirrje gjithashtu që të lajmërojnë në qendrën operative në mënyrë që të marrin ndihmë në shuarjen e zjarreve.

Kjo agjenci ka bërë të ditur se gjatë verës supozohet se do të ketë temperature të larta, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen e zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura.

“Jemi duke hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore. Me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, apelojmë që të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Me qëllim të evitimit të rrezikut, Agjencia ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të kujdesshëm dhe të thërrasin kurdo që shohin ndonjë zjarr, në mënyrë që me kohë të arrihet shuarja pa ndonjë dëm të madh.

“Informimin mund ta bëni në qendrën operative emergjente, nëpërmjet numrit unik ( integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cili do qoftë vend apo pozitë në Republikën e Kosovës). Gjithashtu mund te thirrni edhe ne këta numra: Njësinë profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit në numrin e telefonit 193, Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192, Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194”, thuhet tutje në njoftim. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme