Agjensioni “Express Travel” në Pejë dyshohet se mashtroi mërgimtarët me bileta të aeroplanit, arrestohet menaxheri

Prishtinë | 12 Gus 2022 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Mërgimtarët gjithë vitin punojnë në vende të ndryshme të botës, por pushimet e tyre zgjedhin zakonisht t’i kalojnë në vendlindje. E në kohën e verës, Kosova gjallërohet nga prezenca e bashkatdhetarëve të cilët dikush me veturë, dikush me autobus e dikush me aeroplan, marrin rrugën për t’i kaluar ditët e nxehta në atdhe e për të vizituar më të dashurit e tyre që ndodhen këtu. Por shumë nga ta bien pre e mashtrimeve të agjensioneve turistike, të cilat ofrojnë bileta për udhëtim.

Me një rast të tillë raportohet se janë përballur disa mërgimtarë të cilët përvojën e keqe me një agjension turistik në Pejë vendosën që ta rrëfejnë në Polici.

Pak ditë më parë tre persona kanë denoncuar në Polici menaxherin e agjensionit turistik ‘Express Travel’ për të cilin pretendojnë se i ka mashtruar. Sipas burimeve, mërgimtarët kanë deklaruar se ndonëse kanë paguar paratë për bileta kthyese në vendet ku jetojnë, në momentin e fundit kanë kuptuar se s’kanë rezervim për të udhëtuar.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se pas denoncimit të parë nga tre mërgimtarët, në stacion policor për rastin e njëjtë janë paraqitur edhe 15 persona tjerë nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Të gjithë nga ta pohojnë se janë mashtruar nga menaxheri i agjensionit (emër i njohur për redaksinë).

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë ftuar për intervistim personin e dyshuar.

R.I., është paraqitur në stacionin policor në Pejë gjatë ditës së djeshme, ku i është përgjigjur pyetjeve të hetuesve policorë dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj të njëjtit është ngritur kallëzim penal për veprën ‘Mashtrim’.

Të ngjashme