AGK e shqetësuar me veprimin e policisë ndaj gazetares Yllka Ahmetxhekaj

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka pranuar me shqetësim ankesën e gazetares Yllka Ahmetxhekaj për pengimin gjatë detyrës zyrtare që i është shkaktuar nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Referuar ankesës së drejtuar në AGK, gazetarja e portalit “Periskopi” është penguar gjatë hulumtimit rreth një rasti të karantinuar, edhe pse të intervistuarit kanë qenë të relaksuar në bisedë dhe nuk kanë shfaqur hezitim për bashkëbisedim.

Përgjatë punës, ajo është telefonuar nga një person i cili është paraqitur si Polic i Njësisë së Hetimeve në Gjilan. Ky i fundit i ka thënë Ahmetxhekajt se ka kryer vepër penale dhe se do të pasojnë telefonata tjera ku puna e saj në rastin në fjalë do të shqyrtohet tutje.

Meqë një telefonatë e tillë është realizuar nga numri zyrtar i Njësisë së Hetimeve në Gjilan, AGK ka kontaktuar Policinë e Kosovës, duke pyetur se cili zyrtar policor ka penguar gazetaren Ahmetxhekaj në kryerjen e detyrës zyrtare, mbi çfarë të drejte ka kërkuar materialin mbi të cilin gazetarja është duke hetuar temën në fjalë dhe mbi çfarë baze gazetares në fjalë i është thënë se ka kryer vepër penale. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje rreth pyetjeve tona.

AGK dënon qasjet e tilla ndaj gazetarëve dhe ua rikujton zyrtarëve shtetëror se ata duhet të përmbahen nga sulmet verbale e presionet ndaj medieve. AGK gjithashtu i bën thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edhe Policinë, që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të ndihmojnë ata në një raportim sa më të saktë dhe profesional.

Të ngjashme