AGK: Gazetarët përballen me kërcënime gjatë punës

Prishtinë | 03 Shk 2017 | 10:35 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur tryezën për të diskutuar të gjeturat e raportit të AGK-së “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve”. Në këtë tryezë u theksua se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të pengohen nga persona të ndryshëm gjatë punës së tyre.

Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj, ka thënë se gjatë harrimit të raportit kanë nxjerr rekomandime për sistemin e drejtësisë.

Ai ka theksuar se vitin e kaluar ka pasur raste ku gazetarët janë penguar dhe kërcënuar gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

“Viti i kaluar ka qenë jo fort i mirë sa i përket aspektit të ushtrimit të profesionit, gazetarët janë kërcënuar, ka pasur sulme të ndryshme të cilat shumë rrallë kanë rezultuar në identifikimin e autorëve dhe dënimin e tyre”, ka thënë ai.

Mustafa: Po punojmë për të ndryshuar Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se gazetarët i mbajnë gjallë disa vlera themelore të demokracisë. Ai ka konstatuar se mediet vazhdojnë ta kenë rolin e tyre në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe demokracisë dhe mbesin të rëndësishëm për informimin.

“Sa i përket qasjes që kemi pasur gjatë këtyre dy viteve ne i kemi dhënë prioritet informimit të publikut përmes gazetarëve, ne nuk kemi pasur mundësi të ndihmës financiare, jemi fokusuar që të jemi transparent duke informuar publikun përmes jush. Unë nuk mund të vlerësoj a kemi bërë mirë apo keq, jemi bërë të qasshëm në kontakte të ndryshme dhe jemi munduar të jemi të qasshëm për publikun”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se kanë pasur vërejtje në qasje në dokumentet zyrtare.

“Shpreh përkushtimin që të mos ndërhyjmë në hapësirën që u takon dhe u a jep liria e medies, ka nevojë për masa në përmirësimin e komunikimit. Është evidente që ne të krijojmë kushte më të mira, por duhet të vlerësojmë se nga 101 shtete jemi të 25-it në këtë aspekt. Nuk jam i kënaqur, por ne si qeveri po punojmë për të ndryshuar Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike”, ka thënë Mustafa.

Avokati i popullit, Hilmi Jashari, tha se është evidente që në Kosovë ka pasur cenim të integritetit të gazetarëve.

“Liria e shprehjes është njëri prej bazamenteve të ndërtimit të shoqërive demokratike dhe pikërisht përmes saj maten vlerat demokratike të një shoqërie. Unë dëshiroj shumë që udhëzuesi, i cili trajton në mënyrë të detajuar këtë temë, që është i miratuar nga ministrat e Këshillit të Evropës të hyjë në përdorim edhe në Kosovë”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se Kushtetuta e Kosovës në nenin 53 të saj, obligon në masë të njëjtë të gjitha institucionet publike që të bashkëpunojnë dhe t’u përgjigjen kërkesave të gazetarëve.

Tryeza është e ndarë në tri pjesë: Cilat janë të gjeturat në legjislacionin vendor në lidhje me mediet; si të ngritet më shumë mbrojtja ligjore e lirive të medieve dhe gazetarëve; pse është përkeqësuar gjendja ekonomike e gazetarëve dhe pse mbeten të larta statistikat e pandëshkueshmërisë në rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ky është projekt i BE-së për respektimin e të drejtave të gazetarëve.

Të ngjashme