AGK: Intervistimi i Ollurit nga Policia, shkelje e skajshme e ligjeve që mbrojnë gazetarët dhe mediet

Prishtinë | 17 Pri 2021 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë reaguar pasi drejtori i gazetës Insajderi, Parim Olluri, është ftuar për intervistim nga Policia.

AGK thonë se një veprim i tillë i Policisë është shkelje ekstreme e ligjeve që mbrojnë gazetarët dhe mediat.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, që mbrëmë është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e zhvilluara pas publikimeve të Gazetës Insajderi.Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, Drejtor i Gazetës Insajderi me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve’, thuhet në reagim.

Nga AGK kanë bërë thirrje që të fillohen procedura disciplinore ndaj policëve dhe prokurorëve dhe në të njejtën kohë që të ndalet presioni ndaj gazetarëve.

“AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bëjmë thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme