AGK-ja publikon hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot më 27 tetor, publikoi hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”. 

Hulumtimi është realizuar nga hulumtuesja Lirika Demiri dhe fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e medieve, si dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve medialë gjatë periudhës së pandemisë COVID 19. 

Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj, shprehu falënderimin në emër të AGK-së për pjesëmarrjen e panelistëve, medieve, si dhe për përkrahjen e dhënë nga KFOS-i gjatë kohës së pandemisë, gjë që ka qenë shumë e rëndësishme për komunitetin e gazetarëve, fillimisht në sigurimin e mjeteve mbrojtëse e më pastaj edhe me përkrahjen e këtij hulumtimi, i cili vë në pah gjendjen e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve në kohë të pandemisë.

“Ky raport ka për qëllim të shpalosë gjendjen ekonomike apo ndikimin të cilin e ka pasur pandemia Covid 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve. Me KFOS-in ka qenë bashkëpunimi i parë fare në fillim të pandemisë kur kemi kërkuar ndihmë nga ta që të sigurojnë mjete mbrojtëse për anëtarët tanë, gjegjësisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke u përballur me një të panjohur”, tha Mulliqi Bojaj.

Ndërsa, hulumtuesja e raportit, Lirika Demiri, shpalosi para të pranishmëve të gjeturat e raportit. 

“Raporti është rezultat i një hulumtimi që është zhvilluar prej muajit qershor të këtij viti deri në fund të muajit shtator. Kemi realizuar një anketë online me rreth 120 punonjës medialë – gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, dhe kemi marrë përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me ndikimin e pandemisë në gjendjen ekonomike të punonjësve medialë, si dhe me ndryshimin e dinamikës dhe vështirësitë e hasura gjatë raportimit në pandemi. Përveç anketës, ne kemi zhvilluar edhe intervista me gazetarë të ndryshëm dhe me profesionistë të fushës së medias”, ka thënë Demiri.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe gazetarët Jehona Zhitia dhe Bujar Vitija.

Gazetarja Zhitia tregoi disa nga sfidat me të cilat janë përballur gazetarët gjatë raportimit për pandeminë Covid 19.

“E kemi nisur këtë sfidë pa ditur se çfarë na pret gjatë rrugës. Pavarësisht përvojës së gjatë që mund të kesh në medie, ne jemi më të rinj në moshë dhe nuk na ka rastisur që të raportojmë në ndonjë situatë të ngjashme shëndetësore. Ndonëse edhe vetë mjekët e kishin shumë të panjohur atë se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, kjo bëhej edhe më e vështirë ndoshta për neve si gazetarë, për formën tonë të raportimit se çfarë do të themi në fillim…Konsideroj që ishte sfidë edhe për gazetarët, megjithatë ne ia dolëm që ta bënim punën më së miri”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Teksa, Vitija foli për rolin e medieve dhe gazetarëve në menaxhimin e pandemisë.

“Roli e medieve ka qenë mjaft i rëndësishëm. Gazetarët asnjëherë nuk kanë hezituar që ta kryejnë punën e tyre më përgjegjësi në luftimin e lajmeve të rrejshme. Rreth 30% e kosovarëve nuk kanë besuar në eksiztencën e Covid 19 dhe kjo e ka vështirësuar në masë të madhe menaxhimin e pandemisë nga institucionet. Rol të rëndësishëm për ta përmbysur këtë sondazh, kanë luajtur mediet dhe gazetarët”, ka thënë ndër të tjera Vitija.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme