AGK kërkon nga RTK-ja ta kthejë në punë redaktorit Halili

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 17:53 | Nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka pritur me shqetësim moskthimin në vendin e tij të punës si redaktor i lajmeve në RTK, njëherësh nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Arsim Halili.

“Është shqetësues fakti se siç thuhet, Halili është degraduar për pesë shkallë në pozitë dhe dënim me gjashtë muaj largim nga puna, duke shkelur procedurat dhe ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatën e AGK-së, anëtar i të cilit është dhe Halili.

“Në këtë rast, mediumi publik duhet që t’i respektojë të gjitha ligjet dhe proceduat dhe të rikthejë në pozitën paraprake redaktorin Halili”.

AGK-ja kërkon nga menaxhmenti që të respektojë po ashtu vullnetin e me së 300 punëtorëve, redaktorë/gazetarë të RTK-së të cilët përmes një peticioni kanë kërkuar kthimin e redaktorit, Arsim Halili në vendin e tij të punës.

AGK vlerëson si të papranueshëm faktin që menaxhmenti i RTK-së të mos e marrë parasysh as konstatimin e Bordit të Drejtorëve të cilët sipas reagimit të Sindikatës së Pavarur, kishin konstatuar se për rastin e z.Halili janë përdorur standarde të dyfishta, duke e dënuar për shkak të një statusi në profilin e tij privat, të thënë me sarkazëm lidhur me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme