Ahmeti i bindur se do ta fitojë edhe një mandat në Prishtinë

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 12:53 | Nga

Gara për kryetarin e ardhshëm të Prishtinës, duket se do të jetë mjaft e ashpër. Përkundër që zgjedhjet do të mbahen në vjeshtë, partitë politike tashmë kanë nisur me sulme kundrejt njëra- tjetrës, si formë parafushate në synim të postit të të parit të kryeqytetit.

Derisa, tashmë është e sigurt që Vetëvendosje do të rikandidojë kryetarin e tanishëm të Prishtinës Shpend Ahmetin edhe për një mandat, partitë tjera po ndjekin modelin e vjetër,  të përcaktohen në minutë të fundit për emrin e garuesit për kryeqytetin. Brenda LDK-së, PDK-së e AAK-së mësohet se po lakohen emra të ndryshëm përderisa ende në asnjërën prej tyre nuk kanë mbërritur në fazën e diskutimit serioz për këtë çështje.

Në LDK janë të bindur se një kandidat i mirë mund t’ua rikthej kryeqytetin e humbur në zgjedhjet e fundit, AAk ende po vazhdon konsultat e brendshme, ndërsa PDK pak a shumë ka treguar për profilin që janë duke e kërkuar.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për Gazetën Observer, tha se si Vetëvendosje janë përpara në çdo sondazh.

“Jemi shumë përpara në çdo sondazh…unë mendoj se do të fitojmë”, theksoi Ahmeti.

Në anën tjetër, asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës Lirak Çelaj, thotë se ende nuk kanë emra konkret brenda partisë rreth kandidimit për Prishtinën. Mirëpo, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tashmë ka bërë të ditur profilin e garuesit për qeverisje të kryeqytetit, duke theksuar se do të kandidojnë një figurë urbane, të lindur e të rritur në Prishtinë, të familjarizuar me problemet dhe sfidat e kryeqytetit dhe të pranueshëm për votuesin prishtinas. Përderisa, emri i Lirak Çelajt ishte ndër më të lakuarit deri para pak kohe në këtë parti, ate tanimë e ka eklipsuar treshja prishtinase Memli Krasniqi, Blerand Stavileci dhe Uran Ismaili.

Por, përkundër që Prishtina në asnjërën pale të zgjedhjeve nuk është  treguar si zonë dashamirëse për kandidatët e PDK-së, pavarësiht profilit të tyre, Çelaj mendon se ndryshimi në kryeqytet është shumë i nevojshëm dhe  se gjithsesi  do të ndodhë.

“Për informata rreth kandidimit do të informoheni me kohë”, tha Çelaj për Gazetën Observer.

Në LDK lista e kandidatëve të mundshëm ende vazhdon të mbetet e gjerë. Haki Demolli e Abdullah Hoti janë variante krahas Arban Abrashit,  dhe bashkëpunëtorëve të afër të Isa Mustafës, Sokol Havollit e Vlora Dumoshit. Mirëpo, krahas gjithë këtyre emër i fuqishëm vazhdon të mbetet Ismet Beqiri.

“Prishtinasit si kurrë më parë janë të zhgënjyer me qeverisjen komunale të Prishtinës” , thotë Bajram Gecaj, zv.ministër i LDK-së, sipas të cilit Shpend Ahmeti nuk ka arritur ta mbaj asnjë premtim.

“Mashtrimi i Shpend Ahmetit ndaj qytetarëve prishtinas tanimë ka dalë sheshazi, kështu që këta qytetarë në zgjedhjet e sivjetme lokale definitivisht do të orientohen në rrugën e duhur”, theksoi Gecaj

“Asnjë premtim, pos kunjave dhe kifleve, Shpend Ahmeti nuk ka arritur ta realizoj dhe ne as që e kemi pritë këtë, posaçërisht kur tani dihet sheshazi se komunën nuk e udhëheqë ai, por Brigadat e Kuqe të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV). LDK do të rikthehet fuqishëm në komunën e Prishtinës”, theksoi Gecaj .

Por, ndryshe mendon  asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje,  në Kuvendin Komunal të Prishtinës Sadri Ramabaja.

“Për herë të parë, në jetën politike të kryeqendrës, qytetari ka zënë vend më të merituar në politikat e qeverisjes që kanë për bazë parimin demokratik: për popullin dhe me popullin. Kjo vihet re sidomos në Departamentin e Shërbimeve Publike. Qytetarët e Prishtinës sot kanë të drejtë legjitime të mburren me shërbimin që gëzojnë në këtë administratë”, thotë ai.

Ndër sukseset e Ahmetit, Ramabaja përmendi edhe qeverisjen me ndërmarrjet publike.

“Tutje, në kuadër të realizimit të këtij parimi: për popullin e me popullin, qeverisja e VV-së, në krye me Shpend Ahmetin, ka realizuar aq sa ka pasur hapësirë, madje përtej atyre mundësive reale, qeverisjen me Ndërmarrjet Publike që kishte arritur në fillim t’ i shkëpusë nga ndikimi i bandave politike të PDK-LDK. Produkt i kësaj qeverisje të mirë, është mbarështimi i disa prej tyre, duke i nxjerr nga kolapsi ku e kishte shpënë p.sh.: Trafikun Urban politika neoliberale, barbare e Isa Mustafës, në një ndërmarrje profitabile. Mos të harrojmë faktin që gjatë qeverisjes së fundit të Isa Mustafës, punëtorët e kësaj ndërmarrje kishin brenda 22 paga mujore! Pra ndërmarrja ju detyrohej atyre plot 22 paga!”, thotë ndër tjerash Ramabaja.

Në anën tjetër, Avni Arifin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu konfirmon se në këtë parti ende nuk janë përcaktuar për kandidatin  e Prishtinës.

“Ndryshimi rrallë është i keq. Nuk besoj që Prishtina mbetet keq nëse Shpendi nuk qeverisë me Prishtinës. Ne ende nuk jemi përcaktuar”, thotë Arifi.

Analisti Faik Krasniqi ndërkaq mendon se  Shpend Ahmeti e meriton të qeverisë edhe për një mandat me Prishtinën, pasi sipas tij gjatë mandatit të tij janë parë punë konkrete të cilat votuesi nuk mund t’i injoroj.

“Premtimin më të madh që z.Ahmeti e ka realizuar, është ndalimi i ndërtimeve të egra, ndërtime që në qeverisjen 14 vjeçare të LDK-së, degraduan qytetin e Prishtinës. Pastaj edhe projektet e tjera si ndërtimi i Fabrikës së ujit, që do të furnizoj kryeqytetin 24 orë në ditë, autobusët dhe shumë projekte të tjera madhore”, tha Krasniqi.

Krasniq si pjesë të suksesit të Ahmetit e potencon edhe zgjedhjen e tij në mesin e 28 personaliteteve në listën vjetore për formësimin e politikës dhe ideve në Evropë të ‘Politico’-së.

“Ndoshta kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk ka arritur për këto tre vite të realizojë çdo premtim që e ka premtuar gjatë fushatës parazgjedhore, por mospërmbushja e atyre premtimeve ka edhe arsyet e veta. Vetëvendosja në Asamblenë komunale të Prishtinës ka vetëm 10 asamblistë, dhe në të shumtën e rasteve projektet e z. Ahmeti kanë qenë të bllokuara nga dy partitë e opozitës në Komunën e Prishtinës, LDK-së dhe PDK-së, që kanë shumicën e asamblistëve”, përfundon Krasniqi.

Nga ana tjetër, analisti Leon Duhanaj, thekson ndryshimi që ndodhi me ardhjen e Shpend Ahmetit, ishte nje reagim refleksiv nga qytetarët, kur në raundin e balotazhit edhe pse LDK me Isa Mustafën printe paraprakisht bindshëm, shumica e qytetarëve bëri ndryshimin duke e ndëshkuar Isën dhe LDK-në dhe duke i dhënë shansin Shpendit.

“E them Shpendit sepse LVV-ja nuk ka qenë faktori i ndryshimit”, theksoi Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, shtoi se pikërisht për këtë edhe pritshmëria ka qenë e madhe nga kryetari Shpend Ahmeti, që duke qenë i votuar nga vetë qytetarët, ta menaxhoj qeverisjen e Prishtinës në mënyrë autonome, pa rënë nën ndikimin e faktorit LVV-je, faktor i cili, sipas tij, nuk shquhet për ndonjë ide konstruktive për vendin, pos për anarki.

Sipas Duhanajt, me një kundërkandidat të mirë, të pranueshëm për qytetarët Prishtina do të kaloj nën qeverisjen e ndonjë subjekti tjetër.

“Shansat me të mëdha, natyrisht i ka LDK-ja për ta rikthyer. Por, kjo varet se çfarë profili të kandidatit ofron”, përfundoi Duhanaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme