Ahmeti mirëpret arbëreshët, shprehet mirënjohës që ata po ruajnë traditat dhe gjuhën shqipe

Prishtinë | 04 Maj 2019 | 12:09 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një grup i arbëreshëve që po qëndrojnë për vizitë në Kosovës janë takuar me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, raporton Ekonomia Online.

Noe Andrea, kryetar komune në Pulia dhe përfaqësues i arbëreshëve, ngriti rëndësinë e ndihmës që Qeveria e Kosovës po i jep arbëreshëve në Itali duke theksuar se qeveria mund të ndihmojë dhe kjo nuk është e çuditshme.

“Mund të tingëllojë e çuditshme që Kosova mund t’i vijë në ndihmë komuniteteve në Itali dhe në fakt nuk është aspak e çuditshme, por është jashtëzakonisht e rëndësishme ndihma që Qeveria e Kosovës po i ofron komunitetit arbëresh në këtë periudhë. Edhe pse jemi numër i madh i komuniteteve, në numër nuk jemi shumë. Është e rëndësishme të krijojmë këtë urë që është kulturore, shoqërore, ekonomike dhe që mund të ketë edhe shumë forma të tjera. Qëllimi jonë është ta kemi edhe mbështetjen e qeverisë tani për ruajtjen e traditave tona, mënyrës së jetesës sonë, ku komunat e vogla vetëm, e kanë të vështirë vazhdimin dhe ruajtjen e kësaj tradite”, tha ai.

Ai ka treguar për shtrirjen e këtij komuniteti në Itali.

“Në Itali jemi rreth 50 komunitete arbëreshë. Koncentrimi i tyre më i madh është në Kalabri me 33 komuna, pastaj është Sicilia e të tjera. I gjithë jugu i Italisë në mënyrë homogjene është i përfaqësuar nga komuniteti arbëresh”, tha Andrea.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehi falënderime ndaj tyre për ruajtjen e traditave dhe të gjuhës shqipe duke përcjellë kështu ndër vite kulturën shqiptare.

“Kjo është llogoja e qytetit që e quajmë “Hyjnesha në Fron”. Figura origjinale është e vogël që është gjet 20km prej Prishtinës dhe e vjetër 6 mijë vjet në qytetin e vjetër të Ulpianës. E mbajmë llogo të qytetit për të dëshmuar se ka pasur vendbanime të njerëzve që kanë jetu këtu. Si kryeqytet mund të jemi të ri, por si vendbanim jemi shumë të vjetër. Çdo i treti kosovar jeton në diasporë. Siç duket është bërë storie e popullit tonë të jetojnë jashtë vendit të vet. Kemi pasë disa valë të ikjeve nga Kosova, shumicën e kohës duke ikur nga lufta duke kërkuar jetë më të mirë në Evropë. E kemi gjeneratën e dytë të atyre që kanë shku gjatë viteve 90-ta”, tha Ahmeti, raporton EO.

“…Në çdo klasë të shkollës që kemi kalu një prej mësimeve është për arbëreshët. Ju konsiderojmë që sot keni ardhë në shtëpinë e juaj. Ju falënderojmë nga zemra që keni ruajt traditën e gjuhën dhe për kontributin që arbëreshët kanë dhënë për kulturën shqiptare me shkrime e këngë”.

Afrim Bekteshi, zv. ministër i Diasporës, ka thënë se deri tash gjithçka ka shkuar sipas agjendës, për çka është mirëpritur me duartrokitje nga përfaqësuesit arbëresh.

“Deri sot çdo gjë është duke shku sipas agjendës së paraparë. Jemi duke shfrytëzuar këto ditë maksimalisht që fillimisht të çmallemi me vëllezërit e motrat arbëresh dhe duke shkëmbyer përvoja të ndryshme. Institucionet e Republikës së Kosovës të nivelit qendror e lokal janë duke pritur ballëhapur në shenjë respekti dhe mirënjohje për kontributin dhe sakrificën tuaj ndër shekuj që keni bërë në ruajtjen e identitetit kombëtar që përmes ruajtjes së gjuhës shqiptare keni ruajtur gjithçka shqiptare si traditat, ritet, etj. Ju jeni frymëzim për diasporën e re të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ju jeni frymëzim për atë sesi ruhet identiteti kombëtar, kulturor e gjuhësor”, tha ai.

Të ngjashme