Ahmeti pas aktakuzave të Speciales: E dimë që jemi viktima, por bota s’po funksionon kështu

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit të VV-së, Rexhep Selimi, dhe ish-kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se ish-ushtarët e UÇK-së do të gjykohen individualisht, por Kosova do të jetë në gjyqin publik mediatik ndërkombëtar.

“Pa paragjykuar rastet në Gjykatën Speciale, një gjë është e qartë. Individët do të gjykohen individualisht për të vlerësuar përgjegjësinë penale, por Kosova do të jetë në gjyqin publik mediatik ndërkombëtar”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti thotë se nuk është koha për luftëra politike të brendshme. Kreu i Prishtinës ka kërkuar unitet politik dhe punë serioze.

Akuzat e brendshme dhe luftërat politike të brendshme në lidhje me gjykatën tani janë pa kurfarë sensi. Jo për shkak të personave të akuzuar por për shkak të Kosovës. Nuk është koha as për poezi. Në këtë kohë dhe për këtë çështje nevojitet unitet dhe punë serioze. Pa dallim. Krimet individuale në qoftë se kanë ndodhë kanë adresë. Por kolektivisht duhet të dëshmojmë që Kosova ka qenë viktimë e jo agresor. Ne e dimë, por bota nuk po funksionon ashtu. Mos të lejojmë që dallimet e kundërshtimet politike individuale të bëjmë dëm edhe më tutje për shtetin tonë”, ka shkruar Ahmeti. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme