Ahmeti propozon të shqyrtohet trajtimi me plazmën e të shëruarve nga COVID-19

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ia ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ta shqyrtojnë trajtimin e të sëmurëve rëndë nga COVID-19 me plazmën e të shëruarve, duke shtuar se në Mbretërinë e Bashkuar, 143 spitale po marrin pjesë në një provë të tillë.

Sipas Ahmetit, testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se tek pacientët që kanë qenë të prekur nga COVID-19, ka antitrupa që e luftojnë virusin.

“Disa prej tyre me nivele të larta të antitrupave”, ka shkruar ai në Facebook.

Teksa e ka sqaruar metodën e trajtimit me transfuzionin e gjakut të atyre që janë shëruar tek të sëmurët rëndë, Ahmeti përpos Mbretërisë së Bashkuar e ka përmendur edhe Maqedoninë e Veriut.

“Hiq më larg se në Maqedoni është duke u provuar ky trajtim, natyrisht deri në gjetjen e trajtimeve tjera, vakcinë apo zgjidhje farmaceutike”, shkruan ai.

Procesi i plazmës përfshin marrjen e gjakut prej një dhuruesi, në këtë rast dikujt që është shëruar nga COVID-19, por është në përgjithësi në shëndet të mirë dhe i përmbush kriteret tjera për dhurimin e gjakut. Ky gjak më pas futet në pajisjen për nxjerrjen e plazmës. Gjaku i mbetur më pas i kthehet dhuruesit.

Procesi zgjat 90 minuta dhe plazma e një dhuruesi të vetëm mund të përdoret për trajtimin e tre apo katër pacientëve.

Dhuruesit duhet të ketë qenë të diagnostikuar me COVID-19 dhe duhet të presin një periudhë të caktuar kohore pasi që dalin negativë në sëmundje, për ta dhuruar plazmën. Gjatë kësaj kohe po ndërmerren edhe testime për ta matur vëllimin e antitrupave.

Të ngjashme